Zëvendës ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Avni Zogiani ka kontribuar në narrativën anti-media, duke i quajtur disa gazetarë “terroristë medialë”, në një reagim ndaj juristes së medias, Flutra Kusari, e cila ka kërkuar nga Qeveria të zgjohet përballë presionit të jashtëzakonshëm ndaj gazetarëve.

Zogiani ka pretenduar se Kusari ka kontribuar në degradimin e sektorit medial, duke i futur në një thes gazetarët profesionistë dhe ata që, sipas tij, përhapin shpifje e gjuhë të urrejtjes.

“Natyrisht që shteti mbron gazetarët, të të gjitha llojeve! Mirëpo, kjo këtu ka kontribuar më së shumti në degradimin e sektorit të medias, duke futur në një thes gazetarët dhe terroristët medialë”, ka shkruar ai.

Zv.ministri ka pretenduar se kjo qasje i diskrediton mediat dhe i rrezikon gazetarët profesionistë, ndërsa Kusarin e ka akuzuar se reagon ndaj gazetarëve varësisht nga rreshtimi i tyre partiak.

“Gazetarët kjo i njeh si të tillë vetëm kur kanë një rreshtim të caktuar partiak”, ka shkruar Zogiani.