Mëngjesin e së shtunës së 14 marsit për befasinë e gjithkujt përveç atyre që ishin të përfshirë në proces intensivisht po tinëzisht…
Albin Kurti doli në konferencë për media bashkë me Ndërmjetësin e Dialogut Kosovë-Serbi Peter Sørensen dhe Ambasadorin e BE-së në Kosovë Aivo Orav për të na treguar se Kosova është pajtuar që t’i njohë dokumentet që lëshohen nga strukturat ilegale të Serbisë.
Le ta kemi të qartë. Pra jo legalizim i strukturave të tilla që do të nënkuptonte kalim nga regjistrat e strukturave paralele te ata të Kosovës. Pra, jo heqje dorë nga karta identiteti që lëshohen nga struktura paralele por regjistrim te regjistrat e Kosovës mbi atë identitet që për Kosovën normalisht është ilegal.
Çfarë dokumentesh lëshojnë strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë?
Këto struktura nuk e njohin shtetin e Kosovës e as shpalljen e pavarësisë dhe në anën tjetër e njohin pretendimin serb mbi Kosovën prandaj ata vazhdojnë të lëshojnë dokumente ku Kosova figuron akoma si pjesë e Serbisë. Janë dhjetëra mijëra serbë në Kosovë që jetojnë në këtë realitet paralel dhe pajisen me dokumente ku qytetet e Kosovës figurojnë si qytete të Serbisë.
Tash kur ka ardhur koha që Kosova ta zbatojë Ligjin për të Huajt si çka regjistrohen këta serbë në Kosovë? Si shtetas të Kosovës – jo. Se nuk e njohin Kosovën shtet. Duhet të regjistrohen si shtetas të huaj. Por të cilit shtet? As të Serbisë tamam – jo. Sepse kartat e tyre të identitetit nuk janë krejt identike me dikë që jeton në Beograd për shembull. Kosovarë – jo. Shtetas të Serbisë – jo. Atëherë si çka po i pranon Kosova këta kur i regjistron në regjistra zyrtarë? Po i pranon si pjesëtarë të një strukture të veçantë që s’është as Kosova e as Serbia. E çka është?
Është ajo që thuhet me emra të ndryshëm por përbën gjënë e njëjtë: Zajednica Asociacioni Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe ose më saktësisht këta janë qytetarë të Autonomisë Territoriale brenda Kosovës me të cilën Albin Kurti u pajtua në Bruksel e në Ohër e na njoftoi i lumtur edhe të shtunën.
Për këtë kompromis më të madhin që ndonjëherë ndonjë zyrtar shteti i Kosovës ka bërë normalisht Kurti merr mirënjohje. Njëjtë si Kurti falënderohen edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Po… kur u arrit kjo marrëveshje? Kur u mbajtën këto takime intensive që nuk di gjë kush për to? Ku u mbajtën? Kush mori pjesë? Kush e përfaqësoi Kosovën? Nuk dihet asgjë. Terr total.
Por diçka duhet të kemi të qartë. Qeveria aktuale e Kosovës është votuar më 11 shkurt. Kurse më 16 janar kemi një njoftim se si “Kurti bisedon me ndërkombëtarët për zbatimin e ligjeve për automjetet dhe të huajt”. Pra Albin Kurti as s’ishte Kryeministër tamam kur zhvillonte takime me ndërkombëtarët për t’u pajtuar që të njihen dokumentet e strukturave ilegale.
Tash një pyetje tjetër e cila po ashtu nuk ka përgjigje. Kur Kosova t’i pranojë këto dokumente dhe të regjistrojë personat me to mbi çka mbi çfarë ligji do ta bëjë këtë akomodim? Ato dokumente janë kundërshtim direkt i shtetësisë së Kosovës. Atëherë si do t’i regjistrojë ky shtet të cilin ato dokumente nuk e njohin? Si do të shkruhet aty në listë? Sepse aty ta zëmë shkruan: Ana Brozovic, Mitrovicë, Serbi.
Veç ky regjistrim në vetvete është shkelje ligji shkelje kushtetute shkelje e esencës së vetë shtetit dhe strukturës ligjore mbi të cilin qëndron. Pikërisht se kjo është e pamundur të bëhet Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me një vendim ku shkruan se “Ministria do të nxjerrë ‘aktet e nevojshme administrative’ për mundësimin e regjistrimit për një periudhë tre-mujore të fakteve të lindjes martesës dhe vdekjes të regjistruara në institucionet jo-legale paralele serbe.
Po ashtu thuhet se “Ministria do të nxjerrë vendimet e nevojshme administrative për njohjen e përkohshme të kartës së identitetit të lëshuar nga strukturat jo-legale paralele serbe ekskluzivisht për qëllime identifikimi në përputhje me kornizën ligjore në fuqi”.
Çka do të thotë “aktet e nevojshme administrative”? çka do të thotë “vendimet e nevojshme administrative”? Si mund të bëhen këto “në përputhje me kornizën ligjore”? Si mund të përputhet ligjërisht një dokument ilegal i cili është krijuar për ta kundërshtar atë kornizë ligjore brenda së cilës tash po thua se do ta akomodosh?
Të nderuar situata është e rrezikshme dhe ajo që po ndodh është implementim i Zajednicës që tash ka trajta të Autonomisë Territoriale dhe po ndodh para syve tanë por me një apati të padurueshme. E derisa Kurti implementon strukturën e shtetit të Zajednicës brenda shtetit të Kosovës një kastë e lodhur opozitarësh të kredhur në luks të rehatuar për vete e familjet e tyre të painteresuar të merren me politikë ndonëse janë politikanë po ia mundësojnë Kurtit që projektin më të madh anti-kombëtar ndonjëherë ta kalojë si çështje të thjeshtë administrative.








