Departamenti i Shtetit amerikan ka etiketuar katër grupe evropiane të ekstremit të majtë si organizata terroriste, përfshirë edhe Antifa Ost të Gjermanisë dhe Frontin Revolucionar Ndërkombëtar të Italisë.

Qeveria amerikane ka shpallur katër grupe anti-fashiste të Evropës si organizata terroriste, si pjesë e presionit që Trump po i bën të majtës ekstreme pas eliminimit të aktivistit konzervativ, Charlie Kirk.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë të enjten se Washingtoni do t’i shpallë si “Terroristë Ndërkombëtarë të caktuar posaçërisht”, organizatën Antifa Ost me bazë në Gjermani, Frontin Nderkombëtar Revolucionar me bazë në Itali, si dhe dy grupe tjera me bazë ne Greqi.

“Grupe të lidhura me lëvizje që aspirojnë ideologji marksiste ose të revolucionit anarkist, përfshirë anti-amerikanizmin, anti-kapitalizmin dhe anti-krishtërizmin, duke përdorur këto për të iniciuar dhe justifikuar sulme të brendshme dhe të jashtme”, ka thënë Rubio.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe sigurinë publike, si dhe do të ndalojë furnizimin për terroristë, përfshirë shënjestrimin e grupeve të tjera Antifa nëpër botë”, shtoi ai.