“I kam dy kërkesa: njëra nga Vetëvendosja dhe njëra nga Partia Demokratike e Kosovës, por ju e dini që mendimi im për këtë është tash e sa kohë, jo prej momentit kur e kam marrë detyrën”.

Kështu ka thënë Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, kur është pyetur se kur do ta emërojë anëtarin e 10-të të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke lënë të nënkuptohet se do ta emërojë nga radhët e VV-së, parti ku ajo bën pjesë.

E pyetur nëse do të marrë vendim së shpejti për këtë çështje, ajo theksoi se nuk e di ende, por theksoi se “e rëndësishme për mua është që të respektohet fuqia e subjekteve politike që ja kanë dhënë qytetarët e Kosovë”.

“Pra, fuqia, proporcionaliteti edhe përfaqësimi besoj që janë shumë të rëndësishme”, potencoi Haxhiu gjatë vizitës në Shoqatën e Lidhjes dhe Invalidëve të Viktimave Civile.

Duke qenë se kanë kaluar të gjitha afatet, Haxhiu deklaroi se do ta trajtojë këtë çështje “me seriozitetin më të lartë”.

“E rëndësishme për mua ka qenë se në qoftë se do të bllokohet KQZ-ja në rast se nuk e ka një anëtar. Kam marrë informacione që asgjë nuk rrezikohet nga kjo situatë, prandaj do të veproj në përputhje me përgjegjësitë, atëherë kur e konsideroj që duhet të veproj”, potencoi ajo ndër të tjera.

Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte emëruar 9 anëtarë të rinj në KQZ, të propozuar nga partitë politike parlamentare, nga 10 sa duhet.

KQZ-ja përbëhet nga 11 anëtarë. 10 prej tyre janë propozime të partive politike parlamentare dhe Kryetari. Gjashtë nga anëtarët emërohen pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një emërohet nga deputetët e komunitetit jo shumicë serb, dhe tre të tjerët nga deputetët e komuniteteve jo shumicë jo serbe.

Por, ish-Presidentja Osmani emëroi vetëm nëntë. Ajo i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime pasi që partitë kishin propozuar anëtarë më shumë seç duhet, por Kushtetuesja e shpalli të papranueshme kërkesën e saj.

Fjala është për një vend, të cilën po e kërkojnë Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës. VV-ja i ka propozuar tre anëtarë, dy prej të cilëve janë emëruar, ndërsa PDK-ja i ka propozuar dy anëtarë – Ilir Gashin dhe Rashit Qalajn – vetëm i pari i është emëruar.

Duke pasur këto propozime, Osmani kishte kërkuar udhëzime nga Kushtetuesja se si të veprojë, pasi që VV po pretendon se i takojnë tre anëtarë, ndërsa PDK-ja dy, por akti më i lartë juridik nuk ia kishte pranuar kërkesën.

Nga një anëtar i janë emëruar Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe të tjerët nga komunitetet jo shumicë.