Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që ta di emrin e kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për President, por nuk ka treguar se për kënd do të votonte Lëvizja Vetëvendosje.

Këto komente, Kurti i bëri në një konferencë për media nga holli i Kuvendit, të martën.

“Dikush që s’na i ka tregu as 15 nënshkrime për kë janë me kërku garancë për 66 vota ku janë aq shumë parti e aq shumë deputetë të cilët ju e patë edhe mbrëmë dikush e bëri të pa vlefshme. Ajo cfarë po kërkoni ju është diktaturë”, tha Kurti.

LDK-ja ka thënë se mund t’i japin nënshkrimet e deputetëve të tyre, në qoftë se Kurti ua garanton votat e koalicionit qeverisës. Ata kanë thënë se mund ta propozojnë edhe Vjosa Osmanin.

Këto zhvillime po ndodhin disa orë para se të përfundojë afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit. Nëse deri në ora 24:00, nuk zgjidhet i pari i shtetit, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Seanca për zgjedhjen e Presidentit filloi mbrëmjen e së hënës. U propozuan dy kandidate nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Përkundër se nuk pati kuorum, pra nuk ishin në sallë 80 deputetë, ashtu siç e kërkon Kushtetuta, u mbajt një raund i votimit, në të cilin Rushiti mori 63 vota.

Pas numërimit të votave, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërpreu seancën duke e shtyrë për të martën në ora 10:00.

Opozita reagoi ashpër njëzëri ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar si “përmbysje të rendit kushtetues” dhe paralajmëruan edhe protesta e masa të tjera kundërshtuese.

Të martën u mbajtën disa seanca, fillimisht në ora 10:00, pastaj në ora 14:00, sërish në ora 19:00. Të gjitha u shtynë për shkak të mungesës së kuorumit.

Edhe një seancë tjetër është thirrur për në ora 23:00.