Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), është dorëzuar të hënën një ankesë nga Lista Serbe kundër rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën. Nga kjo parti kanë pretenduar se janë bërë “parregullsi serioze”, që, sipas tyre, kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve të rezervuara për serbët.
Ankesë është drejtuar ndaj Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, që drejtohet nga Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, i cili arriti që ta sigurojë një mandat deputeti.
Por, sipas Listës Serbe – partisë dirigjohet nga Serbia – partia e Rashiç-it ka marrë një numër të konsiderueshëm të votave nga shqiptarët. Në këtë drejtim, kjo parti e ka konsideruar “të papranueshme që mandati të fitohet me vota nga komunitetet joserbe dhe në komuna ku praktikisht nuk ka serbë”.
Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga KQZ, nga 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, nëntë prej tyre i ka fituar Lista Serbe, ndërsa një partia e Rashiç-it.
Katër ditë ka afat PZAP-ja për të kthyer përgjigje në lidhje me ankesën e Listës Serbe.
Nëse e refuzojnë, Lista Serbe ka të drejtë të ankohet në Gjykatën Supreme, e cila ka në dispozicion pesë ditë për të vendosur.









