Një sulm amerikan mbi një anije që pretendohet se mbante drogë ka lënë të vdekur gjashtë të dyshuar për narko-terrorizëm në Karaibe, ka deklaruar sekretari i mbrojtjes amerikan, Pete Hegseth, këtë të premte.
Në një postim në platformën X, Hegseth ka shkruar se sulmi ka ndodhur gjatë natës si pjesë e kampanjës së presidentit amerikan, Donald Trump, që filloi në shtator.
Edhe pse Hegseth nuk ka dhënë evidencë se çfarë po bartte anija, ai postoi një video 20-sekondëshe në të cilën shihej një anije para se të goditej nga një se paku një projektil dhe të shpërthente.
Trump ka thënë të enjten se administrata e tij planifikon ta informojë Kongresin amerikan rreth operacioneve kundër karteleve të drogës dhe edhe pse ai nuk përmendi shpalljen e luftës, operacionet kundër karteleve me këmbë në tokë mund të pasojnë si hap i ardhshëm.









