Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kërkuar mbështetje nga Shqipëria për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Ai theksoi se Kosova është e gatshme të bëhet pjesë e Aleancës.

“Krahas orientimit euro integrues të shteteve të rajonit anëtarësimi në NATO i shumicës së shteteve në rajonin tonë konkludojmë të gjithë që ka qenë faktori i stabilitetit”, ka thënë Konjufca në një konferencë të përbashkët me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Në këtë drejtim, ai theksoi se i kërkoi Ministrit Hoxha mbështetjen e Shqipërisë “për aspiratën tonë për një afrim dhe anëtarësim më të përshpejtuar të Kosovës në NATO”.

“Kosova ka ndërtuar dhe po forcon kapacitetet e saj të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s dhe është e gatshme të bëhet pjesë e arkitekturës së sigurisë së kësaj aleance jo vetëm për garantimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon por edhe kudo në botë në mbështetje të vlerave demokratike dhe euroatlantike”.