[ANATOMIA E BLLOKADES] E mbrapshta që nisi më 2014 e që po e dërrmon shtetin

Më 8 qershor 2014, Hashim Thaçi do të shënonte një nga fitoret më të mëdha elektorale. Por shija e rezultateve do të zgjaste pak.

Një fotografi e Isa Mustafës, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt – e ndryshoi kursin e skenës politike për më shumë se një dekadë.

Në emër të “Republikës”, u formua një bllok opozitar, të cilit iu bashkua befasisht edhe Vetëvendosje – dhe kështu u krijua VLAN, një aleancë anti-PDK, që synoi marrjen e qeverisë dhe udhëheqjen ndryshe.

Nga ai moment nisi një dekadë e bllokadave politike, zgjedhjeve të jashtëzakonshme, përçarjeve dhe betejave të pambarimta në Kuvend, në rrugë e Gjykatën Kushtetuese.

Nisi një fazë e re e ndarjeve të thella në shoqëri, me “ne dhe ata”, “tradhtarët dhe patriotet”, – e ushqyer kryesisht nga një diskurs i Vetëvendosjes.

Blloku VLAN do të takoheshin shpesh asokohe, me premtime për besnikëri ndaj njeri-tjetrit e ndaj qytetarëve.

Por, flamujt u ulën shpejt.

Një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i dha PDK-së të drejtën për Kryetarin e Kuvendit dhe për të provuar i pari formimin e Qeverisë.

Parimet e proklamuara fisnike të VLAN-it u venitën për një post shtetëror.

Pas gjashtë muajsh bllokadë, LDK shkoi te PDK.

Një qeveri e madhe mes të dyjave, me Isa Mustafën Kryeministër, do ta kishte të pamundur të punojë e qetë.

Pasoi një valë protestash të drejtuara nga Vetëvendosje në krah me AAK-në dhe Nismën, me gaz lotsjellës në sallë të Kuvendit, e me gurë e koktej molotovi në rrugë.

Marrëveshjet me Serbinë për Asociacionin dhe Demarkacioni me Malin e Zi do ta vendosnin Kosovën në një fushëbetejë me vetën.

Koha do të tregonte se edhe këto kauza do të braktiseshin me marrjen e pushtetit.

Qeveria ra dhe në vitin 2017 ndodhi një tjetër riformatim.

PDK, AAK dhe Nisma u bashkuan për të shënuar një fitore të zorshme.

Kjo më pas hapi shtigje që LDK dhe VV të nisin një flirt bashkëpunimi.

Demarkacioni kaloi, me të njëjtat parime e vija kufitare që dikur u kundërshtuan

Një taksë 100% për mallrat serbe, duke i sfiduar aleatët ndërkombëtarë që kërkonin heqjen e saj dhe një ftesë për Haradinajn nga Gjykata Speciale do ta rrëzonte sërish Qeverinë.

Flirti mes Vetëvendosjes dhe LDK-së u kurorëzua me lidhje të marrëveshjes qeverisëse, pas zgjedhjeve të tetorit 2019. Tek në mars 2020 do të arrinin të dyjat të krijonin bashkë institucionet.

Historia e tyre e linçimeve, sharjeve dhe sulmeve fizike u duk sikur u la pas.

Por, zgjati vetëm rreth 50 ditë.

Përplasjet e Kryeministrit Kurti me administratën e Donald Trump dhe shkarkimi për arsye krejt qesharake i Agim Veliut nga posti i ministrit, do të shkaktonin krizën e re në mes të një krize pandemie.

Historia e vjetër e linçimeve e sharjeve kthehet sërish.

Një qeveri e re erdhi në pushtet, nga një tjetër bllok i ri politik, LDK, AAK dhe Nisma, me Avdullah Hotin Kryeministër. Por, as një vit do të zgjaste puna e saj pasi sërish Gjykata Kushtetuese solli vendim që e rrëzoi këtë qeveri.

Krejt ky zhvillim, do ta kthente Albin Kurtin fitues të madh të zgjedhjeve, ndihmuar edhe nga një transfer politik, bashkëpunimi me Vjosa Osmanin – që e la LDK-në ani pse ajo ia kishte dhënë dikur edhe kandidaturën për kryeministre.

Parullat e kësaj qeverie ishin të mëdha, por rezultatet munguan.

Ajo që nuk mungoi ishte shkelja e parimit kryesor, për të cilin protestoi dhunshëm. Albin Kurti shkoi në dialog me Serbinë dhe nënshkroi marrëveshje me asociacion të komunave serbe brenda.

Retorika populiste e veprimet e pakoordinuara me aleatët, i sollën Kosovës masa ndëshkuese që kanë peshë qindra milionëshe investimesh.

Dhe ja ku jemi sot, sërish në një bllokadë në skenën e njëjtë, me aktorë gati të njëjtë, por me role të tjera.

Asgjë nuk ka ndryshuar. Për krejt këtë dekadë, nuk ka pasur asnjë zhvillim rrënjësor që ka transformuar vendin. Përkundrazi, kemi më shumë izolim, stagnim në njohje e integrim. Asnjë termocentral të ri, autostradë e re, apo reformë në drejtësi, shëndetësi e arsim. Asnjë plan veprimi që nxjerrë vendin nga një krizë e rritjes së çmimeve dhe një ekonomi që vendnumëron.  

E vetmja që ka ndryshuar është numri i popullsisë.

Qindra mijëra njerëz e kanë braktisur atdheun që nga viti 2014. Fuqia punëtore, edhe ajo e kualifikuar, po tkurret.

Por, nuk po tkurret assesi mendësia politike përçarëse, e strategjive si në një shou televiziv, ndërkohë që bota po ndryshon dramatikisht kurset e veta dhe ne, të përhumbur në polarizim, nuk jemi më me peshën e njëjtë për të.