“Sot jemi përballë një akti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit tonë. Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje flagrante të Kushtetutës është sulm ndaj shtetit të së drejtës, që minon rendin tonë demokratik”, ka thënë Bedri Hamza.
Këto komente, Hamza i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Lëvizja Vetëvendosje ka iniciuar procedurat për zgjedhjen e Presidentit edhe pse në sallë nuk ishin 80 deputetë të pranishëm, ashtu siç e parasheh Kushtetuta.
“Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese. Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit tonë”, shkroi Hamza.
Ai theksoi se veprime të tilla u mohojnë qytetarëve të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe “rrezikojnë ta çojnë vendin drejt një anarkie politike, e cila mund ta destabilizojë shtetin tonë të ri”.
“Kosova është ndërtuar mbi vlerat e lirisë, drejtësisë e barazisë dhe nuk do të lejojmë që këto vlera të cenohen përmes abuzimit me pushtetin apo shkeljes së Kushtetutës”, potencoi ai.
Ai theksoi se PDK-ja do të “qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve dhe shtetit të së drejtës”. “I bëjmë thirrje edhe qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të mos lejojnë shkelje që dëmtojnë të ardhmen e vendit”, shtoi.
“Nuk mund të ecet përpara duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet. Ne do ta mbrojmë shtetin dhe të ardhmen e tij!”.
Pas pak pritet që të vazhdojë seanca për zgjedhjen e Presidentit, e cila filloi mbrëmjen e së hënës. Dy kandidaturat që u propozuan nga VV-ja janë Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Të hënën u mbajt edhe një raund votimi, ku Rushiti mori 63 vota. Pas përfundimit të numërimit të votave, Haxhiu ndërpreu seancën dhe e shtyu për të martën në ora 10:00. Edhe kjo seancë u shtye për në ora 14:00.
Këto veprime të VV-së, opozita i ka konsideruar “përmbysje të rendit kushtetues”.









