Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar ashpër pas seancës së sotme lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar procesin si tërësisht jokushtetues.
Ai deklaroi se zhvillimet e fundit e kanë çuar vendin në një situatë të ndërlikuar, ndërsa e quajti atë që ndodhi në seancë si kulm të mosseriozitetit dhe papërgjegjshmërisë.
“Ky është një puç kushtetues. Është dashur shumë gjak, shumë mund e sakrificë që ta kemi lirinë, shtetin dhe Kushtetutën. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen gjithmonë, edhe kur kemi rezerva”, u shpreh Hamza.
Sipas tij, nisja e procedurës së votimit për zgjedhjen e presidentit apo presidentes është bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe përbën shkelje të rëndë të rendit kushtetues.
Hamza theksoi se një praktikë e tillë duhet të ndërpritet menjëherë për të ruajtur stabilitetin politik dhe funksionimin e institucioneve.
Në të kundërtën, ai paralajmëroi rrezik për destabilizim, duke adresuar përgjegjësinë te Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti.
“Unë nuk dua të besoj se qëllimi është që vendi të çohet drejt anarkisë. Nuk mund të zgjidhet presidenti në mënyrë antikushtetuese”, tha ai.









