Vetëvendosja e Albin Kurtit nuk mjaftohet që e shkeli Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.
Pamëshirshëm, po e shkel edhe Supremen.
Plot 23 vendime janë marrë në kundërshtim të plotë me një vendim të Gjykatës Supreme, i cili specifikon se një deputet tashmë i betuar nuk mund të marrë vendime edhe në cilësinë e ministrit.
Sipas aktgjykimit të Supremes, kjo përgjegjësi nuk i takon një ministri që nuk ka mandat aktiv.
Po çka janë vendimet dhe aktgjykimet për Vetëvendosjen?
Më e keqja është se pothuajse të gjitha këto vendime kanë të bëjnë me emërime në agjenci dhe institucione të rëndësishme për vendin. Përfshirë drejtorin ekzekutiv të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, drejtorin ekzekutiv të Thesarit të Kosovës, drejtorin në Agjencinë për Siguri Kibernetike, drejtorin ekzekutiv të Agjencisë së Sportit, sekretarin e përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, drejtorin në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë e dhjetëra emërime të tjera, si zëvendësdrejtorë, madje edhe ndarje të mjeteve financiare prej 100 mijë eurosh për DokuFestin.
Shumica e këtyre pozitave kanë qenë me ushtrues detyre që prej marrjes së mandatit qeverisës, ndërsa këta zgjedhin që emërimet e reja t’i bëjnë jashtëligjshëm.
Si shpjegohet kjo? Çfarë është ky vullnet për t’i përdhosur institucionet ligjzbatuese dhe për t’i shpërfillur vendimet e gjykatave?
Në një shtet ku ligji respektohet, pushteti nuk zgjedh cilat vendime gjyqësore t’i zbatojë.
Por ky pushtet e ka vendosur vetën mbi Kushtetutën, ligjin e edhe gjykatat.








