Prejse ka ndodhur vrasja tragjike me sëpatë e Arlinda Zekajt, përtej ekspozimit brutal të dështimit kolosal të zinxhirit shtetëror, ka diçka që tash e sa ditë e kam menduar që shkon edhe përtej këtij dështimi, por lidhet me arsyet e tij.  

Siç e dini, Arlinda kishte dërguar letra për zyrtarët e shtetit edhe të tilla të shkruara me shkrim dore.

Për kryeprokuroren, për gjyqtarët dhe për institucione të tjera.

Në këto letra, përveç një qartësie të mbrehtë në formulim, një elegance të pamëshirshme në konstatime, bukurshkrim pothuajse të përkryer, në këto tekste të lë pa tekst edhe mungesa absolute e gabimit.

Asnjë gabim drejtshkrimor. Asnjë gabim gramatikor. Dhe mbi gjithë, arkitekturë e qartë mendimi në adresime.

Në anën tjetër, në një aktvendim të shkruar nga gjyqtari Migjen Kastrati, për rastin e Arlinda Zekajt, përveçse i deformuar ligjërisht, logjika aty duket se e ka shu çdo përpjekje për pjesëmarrje.

Por, vendimi i këtij gjyqtari përveçse ekstremisht i varfër profesionalisht është edhe i gjithi i mbuluar me gabime elementare drejtshkrimore e me gjymtime të skajshme gramatikore.

Si është e mundur dhe cili është shpjegimi që këta dy persona kanë pozicione në shoqëri krejtësisht në shpërputhje me aftësitë e shkathtësitë…

Dhe si ndodhë që një grua me dije të thelluar i drejtohet për ndihmë një personi me thellësi të hatashme të paditurisë?

Çka ndodhë gjatë jetës në Kosovë, që dikush aq i kualifikuar sa Arlinda përfundon duke u lutur që të mbetet gjallë e lutjen për jetën e saj e bënë tek persona që s’i bëjnë ballë as gramatikës, lermë njohjes së ligjit.

Po, këtu është në qendër një tragjedi e një historie personale, por shkon shumë përtej.

Rasti i Arlindës ekspozon krejt lakuriq se si në një shoqëri ku ka përmbysje ekstrem të hierarkisë së meritës zinxhiri automatikisht korruptohet dhe mekanizimi shtetëror pëson deformim të atillë që shteti shndërrohet në një të paaftë që rrudhë krahët kur qytetarët i vriten para hundës.

Pra ky nuk është veç korrupsion institucional. Këtu është korruptu hierarkia shoqërore. Njerëzit nuk futen në sistem e korruptohen, ata obligohen të korruptohen si parakusht për t’i pranuar sistemi tashmë i korruptuar.

Ka plotë studime shkencore që dëshmojnë se në një shtet si Kosova me një qeveri si kjo e Kosovës ku përkatësia politike e zëvendëson meriten korruptohet krejt mënyra se si njerëzit edhe futen edhe mirëmbahen brenda institucioneve të Kosovës.

Në Kosovë ku punësimi publik përdoret si shpërblim për mbështetjen e partisë në pushtet “sa pak kompetentët ndër mbështetësit politikë kanë gjasat më të mëdha të përfitojnë nga lidhjet e tyre politike”.

Prandaj ne kemi marrëdhënie krejtësisht të përmbysur mes pushtetit e dijes.

Prandaj Arlinda e dijshme është viktima e ministrja e drejtësisë një e padijshme si Donika Gërvalla është pushteti.

Prandaj edhe një analfabet si Xhelal Sveçla është ministri që shtron rrugën për një zinxhirë të tërë jokompetentësh brenda policisë që udhëhiqet nga ky analfabet.

Prandaj policia s’ka vetura. Nuk shkojnë kur i thërret Arlinda e kur shkojnë e dërgojnë me duart e tyre në sopatën e vrasësit.

Prandaj Kosova është vendi më i varfër, prandaj nxënësit janë më të padijshmit, prandaj ne blejmë rrymë nga Maqedonia e cila e prodhon atë rrymë me qymyrin që e merr nga ne.

Prandaj Arlinda Zekaj ekzekutohet nga vrasësi me sëpatë i kultivuar nga shteti që mbytet në korrupsion.