“Vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë u kthyen për të jetuar dhe punuar në Kosovë”.

Kështu deklaroi të shtunën kryeministri Albin Kurti, në një simpozium për shëndetësinë në Prishtinë. Megjithatë, në paraqitjen e tij mungoi një aspekt thelbësor dhe shqetësues: shifrat e mjekëve dhe infermierëve që janë larguar nga Kosova që nga viti 2021.

Sipas statistikave të Odës së Mjekëve të Kosovës, të bazuara në certifikatat e Etikës Profesionale të lëshuara për përdorim jashtë territorit të Kosovës, nga viti 2021 deri në mars të vitit 2026 janë lëshuar gjithsej 766 certifikata të tilla.

Vetëm gjatë vitit 2025 janë lëshuar 95 certifikata, ndërsa në vitin 2024 gjithsej 111. Në vitin 2023 janë lëshuar 167 certifikata, në vitin 2022 gjithsej 225, ndërsa në vitin 2021 janë lëshuar 159. Ndërkaq, deri në mars të vitit 2026 janë lëshuar edhe 29 certifikata të tjera.

Shifra shqetësuese paraqiten edhe te infermierët.

Sipas statistikave të Odës së Infermierëve të Kosovës, të bëra publike në muajin maj, gjatë vitit 2025 nga Kosova janë larguar 277 infermierë. Në vitin 2024 janë larguar 444, ndërsa në vitin 2023 gjithsej 829 infermierë.

Trendi i largimit ishte evident edhe në vitet paraprake: në vitin 2022 u larguan 549 infermierë, në vitin 2021 gjithsej 122, ndërsa në vitin 2020 ishin larguar 43.

Ndërkaq, vetëm deri në maj të vitit 2026, nga Kosova janë larguar edhe 74 infermierë.