Sipas një përllogaritjeje të bërë nga Public Broadcasting Service (PBS), një rrjet serioz televiziv publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shuma e përgjithshme që Amerika kanë ndarë për angazhimin e tyre ushtarak dhe humanitar në Kosovë gjatë dy viteve 1999-2000 arrin mbi 25 miliardë dollarë.
Frontline, program investigativ i PBS-it, i ka të publikuara në faqen e tij disa të dhëna mbi shpenzimet e SHBA-ve gjatë luftës në Kosovë:
- Pjesa e SHBA-së në kostot e fushatës ajrore, paqeruajtjes dhe ndihmës për refugjatët deri më 30 shtator 1999 (viti Fiskal 1999) ishte 5.05 miliardë dollarë.
- Shuma e kërkuar nga Administrata Clinton më 19 prill 1999 për të paguar luftën dhe ndihmën për refugjatët në vitin fiskal 1999 ishte rreth 6.57 miliardë dollarë.
- 12 miliardë dollarë ishin financim emergjent i miratuar nga Kongresi për operacionet në Kosovë dhe shpenzime të tjera ushtarake gjatë vitit fiskal 1999.
- Për vitin fiskal 2000, rreth 2 miliardë dollarë u parashikuan si kosto paraprake për paqeruajtjen e SHBA-së në Kosovë.
Totali i këtyre shifrave del të jetë mbi 25 miliardë dollarë.

Që nga koha e luftës, SHBA-të nuk kanë qenë të angazhuara vetëm ushtarakisht në Kosovë.
Programet e tyre, si USAID dhe të tjera, kanë ndarë miliona dollarë për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit.
Mbështetja e SHBA-ve ka qenë vendimtare në diplomaci dhe politikë, duke ndikuar në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, njohjet ndërkombëtare, anëtarësimet në organizata ndërkombëtare dhe procesin e shtetndërtimit.
Megjithatë, me qeverinë e Albin Kurtit, raportet me SHBA-të janë ftohur. Nga veprimet e Vetëvendosjes si parti në pushtet, SHBA-të pezulluan Dialogun Strategjik me Kosovën.
Deklarata skandaloze janë dhënë nga Kurti gjatë viteve për zyrtarë të lartë amerikanë dhe për vetë Shtetet e Bashkuara.
Së fundi, në një tryezë diskutimi në SHBA, Kurti kishte thënë se “përpjekja e SHBA-ve për ta larguar Serbinë nga Rusia nuk ishte problem i tij”.
Për ish-Sekretarin e Shtetit, Anthony Blinken, Kurti kishte thënë se “është paksa naiv” – teksa diskutonte zhvillimet në Kosovë dhe Ballkan.
Gjatë mandatit të parë – që ishte i shkurtër dhe zgjati disa muaj, Kurti pretendoi se një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë nënkuptonte “thikë mbi hartën e Kosovës”, gjë që në fakt nuk ndodhi kurrë.
Se raportet mes qeverisë së Kurtit dhe SHBA-ve janë në një moment jo të mirë, e kanë pohuar edhe ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, JeffreyHovenier, dhe ish-emisari special për Kosovën, Gabriel Escobar, si dhe disa ish-zyrtarë të tjerë.








