Figura me peshë pritet të jenë pjesë e dëshmive në procesin e gjykimit në Hagë. Ata do të dëshmojnë për ekipin mbrojtjes të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Kështu u njoftua në konferencën e së hënës për ecurinë e çështjes nga avokati i Thaçit, Pierre Prosper.
“Siç mund ta shihni, ne kemi një listë të jashtëzakonshme të dëshmitarëve, dhe nuk jam i përgatitur e as nuk mund të them këta emra publikisht, por kemi persona me një peshë të madhe, dhe ka persona të tjerë që jam i sigurt se do të ishin këtu, por ata nuk janë më me ne, siç janë Sekretarja Albright, Richard Holbrook, Senatori Dole dhe të tjerë”, tha Prosper.
Informacioni që kanë, sipas tij, është informacion “shfajësues dhe përmbajtësor”.
“Nuk është dëshmi e një dëshmitari, le të themi, dëshmi e karakterit. Lloji i informacionit do të shërbejë direkt për thelbin dhe zemrën e çështjes së prokurorisë dhe teorisë së saj”, shtoi ai.
Ndërsa, avokati tjetër i Thaçit, Luka Misetiç, bëri të ditur se kanë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ta ndjekin seancën statusore këtë mëngjes. “Që ata të jenë të vetëdijshëm për qëndrimin tuaj”.