“Shfrytëzimi i temës së gazit, për të vendosur etiketime si anti-amerikan ose për të shtruar pyetjen me Rusinë a me Amerikën është jo vetëm fals por edhe komplet i palogjikshëm”, tha Artane Rizvanolli, më 30 qershor.
Pyetjen me Amerikën apo me Rusinë, Qeverisë Kurti nuk ia kanë bërë mediat, politika apo shoqëria civile. Ia ka bërë vetë Amerika.
Dhe nëse është e palogjikshme, ministrja Artane Rizvanolli le t’ia thotë Ambasadës Amerikane.
Që ta kuptoni edhe një herë pyetjen për qeverinë se a me SHBA-të apo me Rusinë, është qartë e shkruar në editorialin e Anu Prattipati, të ngarkuarës me punë të Amerikës në Kosovë.
“Kosova tani përballet me një zgjedhje të rëndësishme strategjike. Administrata e presidentit Trump prioritet kryesor e ka uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse. Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike”, deklaronte Prattipati, kur ikërkonte Kosovës të vendoste sa më parë nëse do të përfshihej në projektin e gazit.
Se gazi i lëngshëm është një projekt strategjik amerikan kundër Rusisë e ka thënë edhe Joshua Volz, emisar i posaçëm për integrimin e energjisë në Departamentin e Energjisë të SHBA-së.
Ai e bënte të qartë se Uashingtoni dëshiron ta këpusë mundësinë e Moskës që energjinë ta përdorë si varësi e mjet për shtrëngim politik ndaj Evropës dhe Ballkanit.
Pra, SHBA-të po e thonë qartë se përmes projektit të gazit të lëngshëm, po dëshirojnë ta forcojnë frontin perëndimor për ta shkatërruar fuqinë e Rusisë.
Pozicioni i Qeverisë së Kurtit për t’i thënë jo përfshirjes në këtë projekt do të thotë se Kosova po refuzon të bëhet pjesë e këtij fronti strategjik kundër Rusisë. Dhe kur refuzon rrugën amerikane, cilës rrugë tjetër i shërben?
Padyshim që asaj të Rusisë.
Natyrisht, nuk ka se çka pritet tjetër nga një grupacion politik që e kalkulon veç me centë përfshirjen në projekte madhore med superfuqinë që e çliroi dhe e pavarësoi.
““Pse është vendim strategjik nuk do të thotë që të mos matet me gram”, deklaron Artane Rizvanolli.
E në anën tjetër, nuk e llogarit fare koston qindra milionëshe në import të energjisë nga kompanitë serbe e të tjera fantome me nga një punëtor.
Nuk e llogarit fare koston e jetesës së qytetarëve kur ua shtrenjton disa herë faturat e energjisë. Sepse ky është një grupacion politik që për të ushqyer interesat financiare ia mbyll derën gazit amerikan me konspiracione nga më skandaloze. E quan budallallëk apo se është gaz rus.
Dhe në fund, faturën për t’i paguar këto veprime ua dërgon gjithmonë qytetarëve.








