Nga Teksasi deri në Maine, votuesit demokratë u dyndën të martën drejt qendrave të votimit.

Të pavarurit ia kthyen shpinën presidentit Trump. Ndërsa republikanët dukej se po çliroheshin gradualisht nga ndikimi i një presidenti që e ka përcaktuar politikën amerikane për një dekadë, shkruan New York Times.

Në intervista dhe në kutitë e votimit, qytetarët deklaruan se ishin të pakënaqur me drejtimin në të cilin po shkonte vendi i tyre dhe se dëshironin ndryshim.

Në vitin 2024, Joshua Buchanan, 39 vjeç, inxhinier i projektimit të trenave në Woodruff të Karolinës së Jugut, votoi për zotin Trump. Dy vjet më vonë, ai kishte filluar të pendohej.

“Me shumë gjasë kam bërë zgjedhjen e gabuar”, tha Buchanan, i cili kësaj radhe votoi për Annie Andrews, kandidaten demokrate për Senat.

Fitorja e saj ndaj Darline Graham, kandidates republikane të mbështetur nga Trump, do të ishte e paimagjinueshme deri jo shumë kohë më parë.

Donald Trump e tronditi sistemin politik amerikan një dekadë më parë, duke elektrizuar votuesit e klasës punëtore me mesazhin e tij populist dhe të ashpër.

Por, ndërsa po afrohet gjysma e dytë e mandatit të tij të dytë presidencial, mbështetja për të ka rënë ndjeshëm, nën peshën e politikave ekonomike jopopullore dhe luftës me Iranin.

Demokratët, të cilët vetëm dy vjet më parë ishin të demoralizuar, tashmë ishin të mbushur me zemërim dhe vendosmëri për t’iu drejtuar kutive të votimit. Vetë kandidatët për guvernator, Senat apo Dhomën e Përfaqësuesve dukej se kishin kaluar pothuajse në plan të dytë.

“Do të zvarritesha barkas mbi xhama të thyer vetëm që të votoja kundër atij njeriu të tmerrshëm”, tha Ronan Donohoe, 85 vjeç, mësues i pensionuar i historisë në një shkollë të mesme në Portsmouth të New Hampshire.

Ai tha se vota e tij për demokratët të martën kishte për qëllim “t’ua bërë të gjithëve të qartë se jemi ngopur me gjithçka që përfaqëson administrata Trump dhe se duam diçka më të mirë”.

Në intervista, votuesit shprehën shpesh pakënaqësi për koston e lartë të jetesës.

Çmimet vazhdojnë të jenë dukshëm më të larta se para pandemisë, por votuesit thanë se Trumpi, i cili në vitin 2024 kishte premtuar uljen e çmimeve, tani dukej sikur i shpërfillte shqetësimet e tyre.

“Ai nuk e di se çfarë do të thotë të ndalosh në një pikë karburanti dhe të mbushësh makinën me benzinë”, tha Suzanne Murray, 78 vjeçe, parukiere në pension në Phoenix.

“Ai nuk e di se çfarë do të thotë të shkosh në një dyqan ushqimor dhe të blesh produkte ushqimore me të ardhura të kufizuara”.

Ajo shtoi: “Ai është kaq i papërgjegjshëm në mënyrën se si e trajton Shtetet e Bashkuara”.

Murray anon nga demokratët, por pakënaqësi ndaj Trumpit shprehën edhe republikanët. Arsyet përfshinin koston e jetesës, dosjet Epstein dhe korrupsionin. Ndërkaq, një numër republikanësh më tradicionalë thanë në intervista se nuk e njihnin më partinë e tyre.

“Partia Republikane e ka humbur rrugën”, tha Van Z. Hampton, 71 vjeç, republikan i regjistruar në Dodge City të Kansasit, i cili tha se për herë të parë që nga koha e Jimmy Carterit, në vitin 1976, kishte votuar për të gjithë kandidatët demokratë.

Hampton, ish-gjyqtar në pension i shtetit të Kansasit, kishte votuar dy herë për Trumpin, por tani ishte larguar prej tij, për shkak të asaj që e përshkroi si korrupsion të shfrenuar.

“Anija është rrëmbyer nga hajdutët”, tha ai, duke iu referuar mënyrës se si administrata Trump po e drejtonte qeverinë amerikane. “Ajo po shkon në drejtimin e gabuar – drejt bregut të tyre, që ta plaçkitin dhe ta zbrazin”.

Për Dan Bailey-n, shofer të kamionit të mbeturinave nga Glen Cove në New York, arsyeja ishte shpërfillja e lehtë e dosjeve Epstein nga Trumpi, si dhe përbërja e kabinetit të tij, ku, siç tha ai, përfshihej “një sekretar i luftës që nuk di asgjë për luftën”.

“Jam ngopur duke u gënjyer”, tha Bailey, i cili tregoi se nuk kishte votuar pothuajse gjatë gjithë jetës së tij të rritur, por të martën doli në votime dhe votoi për të gjithë kandidatët demokratë. “Ndjej se duhet të ketë njëfarë ndryshimi. Shpresoj që edhe kontributi im i vogël të bëjë dallimin”.

Ndonëse nata zgjedhore mund të ketë sjellë një fitore gjithëpërfshirëse për demokratët, ajo ishte larg të qenit një mandat i qartë politik.

Shumë republikanë dhe votues të pavarur thanë se kishin kaluar në anën tjetër thjesht për të ndalur një president që, sipas tyre, nuk i përfaqësonte më.

Për shembull, Hampton, ish-gjyqtari nga Kansas, kishte një këshillë për demokratët që fituan të martën: Ata i fituan votat “jo sepse ju duam, por sepse kemi nevojë që ju të bëni gjënë e duhur. Tregohuni të mençur në mënyrën se si e trajtoni mbështetjen që keni marrë”.

Shumë votues shprehën shqetësim të thellë për vendin që zënë në sistemin politik.

Shumë prej tyre thanë se ndiheshin sikur nuk kishin më një shtëpi politike.

Trumpi e ka përcaktuar aq shumë identitetin e Partisë Republikane, saqë është e vështirë të parashikohet se çfarë do të përfaqësojë ajo pasi ai të largohet nga detyra.

Edhe shumë votues të tjerë e kishin të vështirë ta përkufizonin Partinë Demokratike, përtej kundërshtimit të saj ndaj Trumpit.

“Nuk ka më republikanë apo demokratë”, tha A.J. Asci, 49 vjeç, i cili punon në industrinë e hotelerisë në Savannah të Georgias. “Amerika duket më e paqartë se kurrë”.

Asci emigroi nga Turqia dhe u bë shtetas amerikan 18 vjet më parë. Ai tha se gjithçka që kishte mësuar për jetën në Amerikë e kishte mësuar nga fqinji i tij i atëhershëm, të cilin ende e viziton në një shtëpi të të moshuarve. Por jeta në Amerikën e sotme i duket e paqëndrueshme: ai nuk beson se do të ketë mundësi të përballojë financiarisht pensionimin në këtë vend.

Ai mendon gjithashtu se paratë që po derdhen në politikë po i pengojnë mekanizmat e demokracisë amerikane.

“Nuk mund të sigurosh drejtësi dhe të zbatosh ligjet nëse paguhesh nga dikush tjetër”, tha ai. “Është një sistem i korruptuar”.

Shumë votues folën për shqetësimin e tyre lidhur me gjuhën e ashpër dhe urrejtjen që kanë pushtuar diskursin politik, duke thënë se një nga arsyet pse votuan ishte edhe kundërshtimi i kësaj fryme.

Sheldon McCormick, 68 vjeç, mjeshtër i punëve të ndryshme, i cili qëndronte jashtë qendrës së votimit në Waldo të Maine, tha se do të votonte për këdo që mbron qytetarinë dhe respektin në komunikim.

“Për mua, dinjiteti dhe mirësjellja kanë shumë rëndësi”, tha ai.

“Ka të mira në këtë botë dhe ka ardhur koha t’u rikthehemi atyre”.

McCormick, votues i regjistruar si i pavarur, tha se e ndau votën e tij mes partive: votoi për Susan Collins, senatoren republikane, dhe Matt Dunlap, kandidatin demokrat për Kongres.

Lamont Fisher, 46 vjeç, votues i pavarur në Austin të Teksasit, shprehu të njëjtën pakënaqësi ndaj politikës së zemëruar në vend.

“Pse duhet të jemi kaq ekstremë, saqë të mos mund t’i pranojmë pikëpamjet e dikujt tjetër?”, tha Fisher, teknik i rrjeteve të internetit me brez të gjerë, i rritur në një familje republikane. “Në fund të fundit, të gjithë jetojmë në të njëjtin vend”.

Ai tha se kishte votuar për James Talarico, i cili do të jetë senatori i parë demokrat nga Teksasi pas disa dekadash.

“Pikëpamja e tij është: unë dua ngjyrën vjollcë”, tha Fisher. “Edhe unë besoj në këtë”.

Megjithatë, jo të gjithë mendojnë kështu. Një numër votuesish republikanë thanë se ishin plotësisht të kënaqur me Trumpin dhe se kishin votuar pa asnjë hezitim për të gjithë kandidatët republikanë.

“Unë nuk jetoj me atë njeri”, tha Ofelia Armendarez, nëpunëse e regjistrimit në një shkollë fillore në Visalia të Kalifornisë, e cila kishte votuar tri herë për Trumpin. “Nëse ai po e kryen punën siç duhet, kjo është e gjitha që ka rëndësi për mua”.

Një nga shqetësimet e tyre më të mëdha ishte mundësia e marrjes së pushtetit nga socialistët demokratikë, shqetësim që e tejkalonte dukshëm çdo pakënaqësi ndaj Trumpit.

Patricia Fay, 69 vjeçe, inxhiniere e pensionuar e programeve kompjuterike në Phoenix, tha se zakonisht nuk votonte për të gjithë kandidatët republikanë, por të martën kishte vepruar ndryshe.

“Nuk dua që Arizona të shndërrohet në një tjetër New York apo Kaliforninë Jugore”, tha ajo. Sipas saj, socialistët duan “gjithçka falas”.