Është e pasaktë se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe Presidenti Donald Trump kanë folur për Gjykatën Speciale, apo gjoja për kontrollimin dhe shkatërrimin e saj.

Në rrjetet sociale po qarkullon gjerësisht një video nga një konferencë e tyre, ku flasin për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, por ajo po deformohet sikur kanë folur për Gjykatën Speciale.

Rubio e ka përmendur në konferencë prokurorin Jack Smith, i cili ngriti aktakuzat kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por emrin e tij e përmendi kur foli për njerëzit që kanë punuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe në Hagë.

Ai nuk e ka përmendur askund Gjykatën Speciale dhe krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale është një organizatë ndërkombëtare jolegjitime. Sinqerisht, është jolegjitime, sepse e bën veten të tillë kur pretendon se, edhe nëse nuk je anëtar i asaj gjykate, ajo prapëseprapë mund të ndjekë penalisht. Kjo, në të ardhmen, do të thotë se ushtarakët amerikanë, udhëheqësit politikë dhe të tjerë mund ta gjejnë veten nën aktakuzë nga kjo Gjykatë Ndërkombëtare Penale. Nëse doni të dini pak më shumë për të, Jack Smith ka punuar dikur atje. Këta janë njerëz që mendojnë se mund të dalin dhe, në thelb, të ngrenë aktakuza kundër çdo udhëheqësi botëror dhe ta çojnë atë në Hagë”, deklaroi Rubio.

Beteja e Donald Trump me Smithin është e hershme, që nga koha kur ky i fundit e ndoqi penalisht, por më pas rastet ndaj tij u rrëzuan. 

Trump e quan Smithin kriminel dhe ka kërkuar që ai të përballet me drejtësinë.

Ditë më parë, madje, një anëtar i Senatit kërkoi nga Departamenti i Drejtësisë që të ngrihen aktakuza ndaj Smithit.