Emisari i Presidentit të Shteteve të Bashkuara për Misione Speciale, Richard Grenell, i ka reaguar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas një postimi të saj në platformën X lidhur me vizitën në Kosovë.

Grenell i ka kujtuar se ajo kishte qëndruar në heshtje në kohën kur Jack Smith arrestoi ish-presidentin Hashim Thaçi, ndërsa ky i fundit po udhëtonte drejt Uashingtonit për të nënshkruar një marrëveshje paqeje.

“Gjykata juaj në Hagë e ka mbajtur Presidentin Thaçi tash e pesë vjet. Si mund të shpërndani këshilla gjyqësore për ndonjë vend tjetër? Ju qëndruat në heshtje ndërsa Jack Smith arrestoi një president në detyrë, vetëm pse ai ishte rrugës për t’u takuar me Donald Trump për të arritur një marrëveshje paqeje që do të përfshinte edhe shpërbërjen e detyrës së Jack Smith-it / vetë gjykatës. Është turp se si mediat e kanë injoruar këtë ndjekje penale politike”, ka shkruar ai.

Grenell është vazhdimisht i zëshëm kur ka zhvillime politike në Kosovë apo lidhur me punën e Gjykatës Speciale. Ai shpesh, përmes postimeve të tij, përmend padrejtësitë që sipas tij po ndodhin në Hagë në procesin kundër krerëve të UÇK-së.