Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale në Prishtinë. Ai ka qenë i dyshuar dhe në hetim nga organet e rendit, si i dyshuar për shpëlarje parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar nga Prokuroria, mbrojtja apo vetë Berisha.

Për të njëjtat vepra penale, ai ishte intervistuar edhe në mars të vitit 2024.

Për Berishajn, fillimisht kishin raportuar mediat, mirëpo më pas, vetë ai, para komisionit parlamentar, e kishte pranuar se përderisa ka qenë ambasador ishte paguar nga kompania që merret me energji elektrike, GEN-I – dega në Beograd.

Ai ishte paguar me shuma marramendëse nga GEN-I serb, për të dhënë gjoja këshilla në lidhje me tregjet e energjisë në Ballkan.

Berishaj kishte themeluar edhe një kompani në Mal të Zi për këtë punë “MB Consulting”, e cila nuk kishte asnjë punëtor, pos atë vetë dhe të cilën ai nuk e kishte deklaruar fare në deklarimin e pasurisë.

Ai kishte edhe dy kompani të tjera në Kosovë që po ashtu nuk i kishte deklaruar.

Pos këtyre, Berishaj kishte tërhequr shuma që kapin shifrat e milionave nga bankat në Kosovë dhe në Mali të Zi dhe asnjëherë nuk është sqaruar se çfarë ndodhi me paratë kesh që i ka tërhequr.

Përkundër këtyre dyshimeve për afera korruptive, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta shkarkuar atë nga pozita e ambasadorit.

Madje, nga partia që ka pushtetin në Kosovë, e kanë mbrojtur vazhdimisht Berishajn, duke i cilësuar si “të pavërteta” raportimet për të.