“Albin Kurti ka arritur të rrënojë aleanca të shumta, të cilat janë ndërtuar me shumë gjak, mund, sakrificë, por edhe mençuri”, ka thënë Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
Këto komente, Çitaku i ka bërë në një konferencë për media të dielën, ku e kritikoi Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për qasjen e tij, siç thotë ajo, “të papërgjegjshme dhe aventureske” ndaj ndërkombëtarëve.
“Është e paimagjinushme që 26 vite pas luftës pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, Kosova të jetë e ndëshkuar e penalizuar nga aleatët e saj, e tërë kjo për shkak të qasjes së papërgjegjshme dhe avantureske të Albin Kurtit”, ka thënë Çitaku.
Ajo vlerëson se “nuk është normale kaosi, kriza, izolimi, në të cilën e ka futur Kosovën, kjo kastë udhëheqësish”.
Çitaku thotë se Amerika nuk ka ndërhyrë në Kosovë për ta bërë atë një vend të dështuar e të izoluar.
“Imagjinojeni Hashim Thaçi nga malet e Pashtrikut ka lidhur aleancë me NATO-n. E edhe tani nga burgu i Hagës e solli Amerikën në mbrojtje të luftës së drejtë të UÇK-së”, pohoi ajo.
Ndërsa, Kurti, deklaron ajo, e ka gjetur në tavolinë “nga komoditeti i Zyrës së Kryeministrit, suksesshëm ka arritur të rrënojë aleanca të shumta të cilat janë ndërtuar me shumë gjak, mund, sakrificë, por edhe mençuri”.
Para disa ditësh, SHBA-të pezulluan Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak, siç thonë ata, veprimeve të Kurtit.