Për të 36-në herë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Krejt kjo pasi që Lëvizja Vetëvendosje është duke insistuar në kandidaturën e Albulena Haxhiut, figurë e papranueshme nga partitë tjera.
Në seancën e së hënës, e cila zgjati rreth 2 minuta, në sallë ishin të pranishëm 99 deputetë. Vetëm 53 votuan për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehët.
Vazhdimi i radhës i seancës konstituive është caktuar për të mërkurën në orën 10:30.
Përfaqësues të partive opozitare – PDK, LDK e AAK – po e fajësojnë VV-në për bllokadën e krijuar tash e disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Aktualisht palët janë barrikaduar në qëndrimet e tyre: VV nuk tërhiqet nga kandidatura e Haxhiut, ndërsa opozita e ka bërë të qartë se s’do ta përkrahin Ministren në detyrë të Drejtësisë.









