Kosovës nuk do t’i jepet mbështetje financiare nga Plani Evropian i Rritjes, për shkak se ende nuk është konstituuar Kuvendi dhe nuk është formuar qeveria e re.
Lajmi është bërë i ditur nga Radio Televizioni i Kosovës, i cili shkruan se nga ky plan i Komisionit Evropian, Serbisë tashmë i janë transferuar mjetet financiare.
“Pa konstituimin e parlamentit dhe formimin e qeverisë së re në vend, nuk mund të përmbyllen procedurat e domosdoshme që Kosova të nisë të përfitojë financiarisht nga ky plan”, shkruan mediumi publik.
Nesër, Kuvendi do të mblidhet për herën e 35-të, në përpjekje për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Vetëvendosje insiston në kandidaturën e Albulena Haxhiut dhe në votim të fshehtë, ndërsa partitë e tjera – PDK, LDK, AAK, Nisma dhe disa deputetë nga komunitetet joshumicë – janë kundër.
Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për bllokadën, e cila tashmë po sjell pasojat e para.
Nën qeverisjen e Albin Kurtit, Kosovës i janë vendosur sanksione nga Bashkimi Evropian, për shkak të qasjes në dialog dhe aksioneve të përsëritura në veri të vendit, të ndërmarra nga Njësia Speciale.