U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se tri proceset e fundit zgjedhore kanë prodhuar rezultate të përafërta dhe se pa dialog politik, veçanërisht për çështjen e Presidentit, nuk mund të ketë zgjidhje për tejkalimin e situatës politike.

Ajo ka theksuar se çështja e Presidentit, ndonëse në aspektin formal është hapi i tretë, në rrethanat aktuale duhet të jetë pika e parë nga ku duhet të nisë dialogu politik.

Haxhiu ka shprehur keqardhje për refuzimin e ftesës nga PDK-ja dhe AAK-ja, duke e cilësuar këtë si “veprim të gabuar, të pamatur” dhe si mungesë vullneti për tejkalimin e pozicioneve politike.

“Të tilla pozicione nuk e ndihmojnë askënd, aq më pak Republikën tonë”, ka deklaruar Haxhiu.

Në fund, ajo ka shprehur shpresën se deri të martën do të ketë reflektim nga subjektet politike dhe se takimi do të jetë i dobishëm për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike.