“Është e domosdoshme që të punojmë e të mos humbim kohë me procedura e me ndërskamca juridike e të tjera”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në përpjekje e sipër për ta relativizuar paralajmërimin e Partisë Demokratike të Kosovës se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese procesin e konstituimit të Kuvendit dhe vendimet që pasuan, si zgjedhja e Qeverisë.

Ndonëse PDK konsideron se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e Qeverisë janë antikushtetuese, Kurti e ka ftuar këtë parti “që sa më shpejt ta propozojë edhe ajo kandidatin për nënkryetar të Kuvendit dhe të punojmë bashkë në komisionet parlamentare”.

Sepse, Qeveria, siç tha ai, është e udhëhequr nga Vetëvendosja. “Mirëpo, në anën tjetër, shteti dhe Republika nuk janë të Qeverisë. Ato janë edhe të opozitës, e cila duhet të jetë aktive në Kuvend”.