Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, është deklaruar në protestën e radhës të mbajtur para Qeverisë së Kosovës, ku ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
Kadrijaj e ka akuzuar Kurtin se po përdor, siç i quajti ajo, “luftën hibride” dhe “ushtrinë paramilitare”, duke iu referuar edhe “Lule Gjela” dhe adresave që ajo i cilësoi si “fake”.
“Albin Tuci, nuk e di se ku është fsheh. Ai po mundohet me funksionu me luftën hibride dhe me këtë ushtrinë paramilitare, me ‘Lule Gjela’ dhe nuk e din se duke dashtë me denigru secilin person, secilin individ, secilin pushtetar që nuk është me Lëvizjen Vetëvendosje, me këto fake adresa po mundohet që i frikëson deputetët, po mundohet që i frikëson opozitën që mos me folë. Jo Albin, nuk frikësohem”, ka deklaruar Kadrijaj.
Ajo më tej e ka cilësuar Kurtin si “shkelës recidivist, kronik të Kushtetutës”, duke thënë se rruga e tij duhet të jetë drejt burgut.
“Kjo është qeverisja e Albin Kurtit dhe meqenëse është shkelës recidivist, kronik i Kushtetutës, e dini që këto sëmundjet kronike të japin rrugë, edhe ky ka me marrë rrugë. Rruga e Albin Kurtit është se e ka vendin në burg për shkak të shkeljes së Kushtetutës”, ka thënë deputetja e AAK-së.









