Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka reaguar pas deklaratës së zëdhënësit të Qeverisë, Arlind Manxhuka, lidhur me fotografinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me Fehim Salin, i cili është arrestuar nën dyshimin për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin serb të inteligjencës BIA.

Manxhuka ka thënë se Kurti gjatë viteve në qeverisje ka pritur dhjetëra organizata të komuniteteve pakicë dhe se Qeveria “nuk bën detektorin e askujt dhe as s’jep amnesti për askënd”.

Pas këtij reagimi, Kadrijaj e ka kritikuar Qeverinë për mënyrën se si e ka arsyetuar fotografinë e Kurtit me Salin.

“Manxhuka i LV, e paska arsyetuar foton e Albinit me spiunin e BIA-së. Se paski detektu, po a po i detektoni montazhet që po i bëni me deskriditu secilin përson në Kosovë. Po ju detektojmë e shpejt ju vjen fundi Albin ‘patrioti’!”, ka shkruar Kadrijaj.

Fehim Sali është arrestuar më 13 gusht në pikën kufitare në Merdare, nën dyshimin për spiunazh në favor të BIA-s serbe. Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar atij një muaj paraburgim.

Sipas Prokurorisë Speciale, Sali dyshohet se për një periudhë të pacaktuar u ka ofruar informacione dhe ndihmë zyrtarëve të BIA-s, përfshirë informacione për situatën politike në Kosovë dhe të dhëna lidhur me zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Fotografia që ka nxitur reagimet është realizuar në Kryeministri, ku Kurti kishte pritur Salin bashkë me përfaqësues të tjerë të komunitetit goran.