Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka bërë të ditur se grupi parlamentar i kësaj partie i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për thirrjen e vazhdimit të seancës më 16 gusht.
Në një konferencë për media të shtunën në Kuvendin e Kosovës, Ismaili tha se qëllimi i kërkesës është rikthimi i rendit kushtetues dhe konstituimi i Kuvendit.
Ai kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se përmes moskonstituimit të Kuvendit po e mban Kosovën në krizë institucionale.
“Një javë jashtë afatit kushtetues, për herë të parë në Kosovë, suspendohet Kushtetuta dhe Kuvendi me vetëdije për agjendën personale të një individi. Albin Kurti, përmes Avni Deharit, kryesuesit të seancës konstituive, po e mban të suspenduar Kuvendin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Ismaili.
Sipas tij, moskonstituimi i Kuvendit nuk nënkupton vetëm pengimin e ushtrimit të rolit të deputetëve, por edhe mohimin e zërit të qytetarëve.
“Moskonstituimi i Kuvendit nuk do të thotë vetëm mohim i ushtrimit të rolit të deputetit, por edhe mohim i zërit të qytetarëve, kërkesave dhe nevojave të tyre. Ndërkohë që Albin Kurti po merret me kalkulimet e tij, qytetarët po e paguajnë çmimin”, tha ai.
Ismaili përmendi edhe gjendjen në sektorin shëndetësor, duke pretenduar se mungesa e një Kuvendi funksional po i lë qytetarët përballë vendimeve të ministrave pa mandat.
“Mungesa e një Kuvendi funksional i lë qytetarët në mëshirën e këtyre ministrave pa mandat, që abuzojnë me paranë publike dhe pasojat janë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, u shpreh deputeti i PDK-së.
Ai kritikoi edhe gjendjen në sektorët e energjisë dhe arsimit, duke i lidhur problemet në këto fusha me krizën institucionale në vend.
“Kriza e njëjtë është me energjinë, ku miliona e miliona euro nga xhepi i qytetarëve janë duke shkuar direkt në xhepat e kompanive të afërta me pushtetin. Kriza e njëjtë është në arsim, ku asnjë projekt për përmirësimin e cilësisë së arsimit apo digjitalizim të arsimit nuk është duke ndodhur”, tha Ismaili.
Ai theksoi se PDK-ja, sipas tij, ka qenë për herë të tretë në sallën e Kuvendit për të kërkuar vazhdimin e seancës, ndërsa akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadë.
“Dje e gjithë Kosova e pa kontrastin. PDK ishte në sallën e Kuvendit për herë të tretë. Ne erdhëm, ata nuk erdhën. Ne kërkuam Kuvend funksional për të gjitha partitë politike. Ata zgjodhën bllokadën”, deklaroi ai.
Ismaili njoftoi se kërkesa e re e PDK-së drejtuar Avni Deharit është që seanca konstituive të vazhdojë më 16 gusht.
“Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasim seancën, ta propozojmë kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të bëhet asnjë hap përpara duke ecur jashtë Kushtetutës”, tha ai.
Ismaili ka treguar poashtu se s\marrin pjesë ne takimin me Albulena Haxhiun.
Në fund, Ismaili i bëri thirrje Kurtit që të marrë pjesë në Kuvend dhe të mundësojë konstituimin e tij.
“Prandaj, z. Kurti, eja në Kuvend. Thirrne seancën. Mos ik. Mos u fsheh pas Avni Deharit. Konstituoje Kuvendin. Respektoje Kushtetutën”, përfundoi Ismaili.









