Një dokument i paraqitur nga prokurorët e Speciales ka ndezur alarmin tek mbrojtja e krerëve të UÇK-së të cilët bashkarisht i janë përgjigjur ZPS-së për përmbajtjen e tij.
Materiali në fjalë thuhet se është një letër që supozohet të jetë shkruar nga Hashim Thaçi më 29 qershor të vitit 1999.
E njëjta është pranuar në listën e provave, mirëpo pa verifikim për vërtetësinë e saj.
Për më tepër, avokatët kanë argumentuar se letra në fjalë është “e rremë” pasi që emri i Thaçit ishte shkruar gabim si dhe ish-presidenti ka mohuar të jetë autor i saj.
“Emri i Z. Thaçi ka qenë i shkruar gabimisht dy herë, Z. Thaçi e ka mohuar të jetë autori i dokumentit, dokumenti nuk kishte asnjë stemë zyrtare dhe ishte shkruar në anglisht, megjithëse pretendohej se ishte drejtuar për UÇK-në”, thekson mbrojtja në shkresën e saj.

Avokatët mbrojtës përmes shkresës së datës 16 qershor kanë kërkuar intervenimin e Apelit të Speciales që të përcaktojë një standard të qartë për autetincitetin e provave të propozuara në të ardhmen.
Mbrojtja frikësohet se në vijimësinë e procesit edhe Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave mund të paraqesë e t’i pranohen prova të rreme që mund të çojnë në padrejtësi për të akuzuarit.
Kërkesa për certifikim në apel të shqetësimeve në fjalë është nënshkruar nga 12 avokatë.

