Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, thotë se Lëvizja Vetëvendosje, me veprimet e saja bllokuese “po e suspendon Kushtetutën” dhe “po e fut Kosovën në një terren të panjohur”. Siç u shpreh ai pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, subjekti që drejton “do të ndërmarrë veprime ligjore dhe demokratike”.
“Është situatë më shumë se serioze dhe po suspendohet akti më i lartë juridik. Vendi po futet në një terren të panjohur. Si PDK do të marrim veprime edhe ligjore, edhe Kushtetuese edhe demokratike në mbrojtje të rendit kushtetues dhe demokracisë. Kjo s’ka ndodh asnjëherë. Kjo s’është desht me ndodh as tash. Asnjë arsye nuk ka. Asnjë pengesë nuk e ka që me e ba propozimin për Kryetar të Kuvendit, mirëpo këto janë kalkulime politike”, tha Hamza.
“Kur gjuajnë me gurë, thonë se janë në mbrojtje të Republikës së Kosovës. Po edhe të njëjtën kohë kur këta i gjuan dikush me vezë, prapë thonë janë në mbrojtje të Republikës së Kosovës”, shtoi.
Lëvizja Vetëvendosje, pas shkeljes së afatit Kushtetues, i cili jepte kohë që deri më 7 gusht të konstituohej Kuvendi, ka thyer edhe Rregulloren e Parlamentit, i cili obligon seancë të re konstituive brenda 48 orësh. Pas asaj të së shtunës së 8 gushtit, një të tillë Kryesuesi i seancës që vjen nga radhët e VV-së, Avni Dehari do të duhej ta thërriste për këtë të hënë, mirëpo kjo nuk ndodhi.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, “ka kërkuar kohë shtesë” për konsultime me partitë politike për gjetjen e një kandidati konsensual për President.









