Sergio Maslichenko, drejtor i asociuar dhe udhëheqës për Kosovë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë investitorët në mënyrë që ata të vinë në Kosovë dhe të investojnë.
“Mesazhi duhet të jetë: ‘Ejani këtu, ju presim’. Më pas realizohet projekti i parë i suksesshëm dhe shumë të tjerë do të vijnë. Por nëse nuk e ke atë projekt të parë, nuk ka sinjal”, ka deklaruar Maslichenko.
Maslichenko deklaroi se në Kosovë nuk po shohin shumë investime dhe kjo është si rrjedhojë e pasigurive që ka krijuar Qeveria e Kosovës.
“Nuk po shohim shumë investime. Nga ana jonë po përpiqemi shumë dhe po punojmë me shumë zhvillues projektesh. Kur erdha këtu, para tre vjetësh e gjysmë, kishim shumë zhvillues që prisnin në radhë para zyrës së BERZH-it. Ata dëshironin të zhvillonin projekte bazuar në qasjen e çmimit referues, e cila ishte në fuqi në atë kohë”, ka thënë Maslichenko.
Ai tha se këto projekte ishin anuluar dhe investirorët ishin tërhjekur, teksa shtoi se pas kësaj u zhvillua një ankand që mori shumë kohë dhe përkundër interesimit të madh nuk u pa asnjë rezultat.
“Ajo u anulua dhe të gjithë këta zhvillues u detyruan të tërhiqeshin. Më pas pati një ankand që mori gjithashtu kohë dhe afatet u shtynë disa herë. Pamë interesim të madh, por në fund nuk pamë shumë rezultate”, potencoi përfaqësuesi i BERZH-it.
Maslichenko ka hijezuar faktin se në Kosovë ka disa zhvillues të ri që po hasin pengesa nga kriza politike në Kosovë dhe nga mungesa e një sinjali qeveritar për biznesmenët vendor dhe ndërkombëtarë se ata përkrahin burimet e ripërtëritshme të energjisë.
“Pengesa kryesore ka qenë stabiliteti i kornizës së politikave. Qeveria duhet t’i dërgojë një sinjal të qartë biznesit, si atij ndërkombëtar ashtu edhe atij vendor, se kjo është mënyra se si do t’i mbështesim burimet e ripërtëritshme të energjisë.”
Përfaqësuesi i BERZH ka thënë se nevojitet “konsistencë, punë e palodhshme dhe, sigurisht, shpejtësi”, duke përçmuar faktin se as pas tre vjet e gjysmë nuk është realizuar asnjë projekt.
Maslichenko ka deklaruar po ashtu se po shohin shumë zhvillues tek po largohen nga ankandet, të cilët për ta janë shumë të kufizuar në mundësi për të dalë në treg drejtpërdrejt.








