Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masa të sigurisë përgjatë aktiviteteve që ndërlidhen me 16 shtatorin, ditën kur Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale do të shpallë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata kanë paralajmëruar se mund të ketë ndërprerje të qarkullimit në disa rrugë.
“Policia e Kosovës, lidhur me zhvillimet e parapara për datën 16 shtator, ku pritet të merret verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që parashihen”, thuhet në njoftimin e Policisë për mediat.
Për këtë çështje, Policia, në Drejtorinë e Përgjithshme të saj, ka zhvilluar takime me drejtuesit e njësiteve të veta, si dhe me partnerët ndërkombëtarë, si KFOR-in e përfaqësues të ambasadës amerikane në Kosovë.
“Sipas praktikave të mëhershme të ndërtuara, me qëllim të mirëmbajtjes dhe avancimit të partneritetit, kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete apo tubime publike, menaxhmenti i PK-së mban takime informuese dhe koordinuese me drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorët e drejtorive rajonale, përfshirë edhe takime me partnerë ndërkombëtarë, si: KFOR, EULEX, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, Zyra e BE-së dhe OSBE-ja. Një takim i tillë u mbajt edhe sot në Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së, ku u prezantua plani dhe angazhimet policore lidhur me zhvillimet e parapara që ndërlidhen me datën 16 shtator”.
Aty thuhet se sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, Policia do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, “në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente”.
“Varësisht nga aktivitetet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktivitetet, andaj Policia e Kosovës ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve “që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktivitetet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt, pasi planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në rastet kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete, apo pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, hartimi dhe implementimi i planeve policore janë pjesë e procedurave të rregullta policore, që shërbejnë në interes të sigurisë së përgjithshme”.
Në njoftim potencohet se zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren “për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend”.









