Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar se arsyeja pse i është bashkuar protestës për UÇK-në është për të alarmuar opinionin kombëtar e atë ndërkombëtar se po bëhet një padrejtësi e madhe ndaj Kombit Shqiptar.
“Po bëhet një padrejtësi e madhe, historisë së kombit tonë, historisë më të lavdishme të shqiptarëve, jo vetëm të Kosovës por të gjithë shqiptarëve, që në bankë të akuzës të vendoset Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka deklaruar Ahmeti për VOX Kosova.
Tutje, Ahmeti ka theksuar se misioni i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka funksionuar në parim me të gjitha Konventa Ndërkombëtare mbi luftërat në misionin e saj për luftë kundër pushtuesit.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur një mision tepër të rëndësishëm, që e tërë lufta të organizohet kundër pushtuesit dhe ka prova e prova që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është marrë me civilë, me gra, me pleq, me fëmijë”, shtoi Ahmeti.
“Kjo protestë është për t’i thënë edhe opinionit ndërkombëtar, por edhe prokurorisë në Hagë, që këto padrejtësi i bëhen Kombit Shqiptar. Ky është qëllimi i protestës së sotme”.








