Pjesë të azbestit që dyshohen të jenë të dëmshme për shëndetin e njeriut janë marrë si mostra nga ekspertë gjermanë në Termocentralin “Kosova B” në Koorporatën Energjetike të Kosovës. Të njëjtat, janë dërguar për ekzaminim për të parë shkallën e rrezikshmërisë. Për rrjedhojë, janë marrë masa për punëtorët që i ekspozohen këtyre materieve.
Drejtori i Termocentraleve në KEK, Ramadan Sokoli, i dha VOX Kosovës se janë marrë masa preventive në rast se materia e marrë nga gjermanët del të jetë e rrezikshme. Shton, se “situata është në kontroll”.
“Aty është duke u bërë remonti i B1-shit edhe normal katër vjet nuk është bërë ai remont. Tani pjesë të cilat janë të azbestit, që munden me qenë, edhe pse unë nuk e kam informacionin e saktë, janë duke u largu që ai azbest mos me qenë më aty. Sa i përket masave të tjera që janë marrë. Janë marrë masa të rrepta të sigurisë për të gjithë punëtorët që janë aty. Çdo gjë është nën kontroll. Çdo gjë është e sigurt”, tha ai.
Siç ia konfirmoi Sokoli – VOX Kosovës, masat e ndërmarra janë “tërheqja e punëtorëve, vendosja e shiritave, vendosja e maskave”.
Shefi i Termocentraleve në KEK tha se masat janë ndërmarrë me rekomandim të gjermanëve prezentë në KEK, por deri në këto momente s’ka rezultate për rrezikshmërinë e materieve.
“Ato janë masa të gjermanëve që i kanë marrë. Na s’kemi kurgjo me ta. Ata e kanë procedurë të vetën të punës. Në momentin kur ne i kemi hetu, kemi marrë vesh që, sigurisht gjermanët janë më të përgatitur i kanë çu nëpër laboratore, se na nuk e kemi ditë që i kanë çu, unë nuk kam informata që i kanë çu ata, duhet me ditë pse i kanë çu, qysh i kanë çu, cilat është arsyeja. Tash mirrem me këtë problem, se sot ka dalë ky problem. Unë vonë e kam kuptu. Por, çdo gjë është nën kontroll.”, tha Sokoli.
Termocentrali “Kosova A” i Korporatës Energjetike të Kosovës përbëhet nga pesë blloqe punuese të njohura si A1, A2, A3, A4 dhe A5. Blloqet A1 dhe A2 janë jashtë pune pa status të definuar.
Ndërkaq, Termocentrali “Kosova B”, përbëhet nga dy njësi gjeneruese, njësia B1 dhe B2.









