Ambasada e SHBA-së në Amerikë për herë të dytë brenda ditës ka dalë me një alarm tjetër për personelin e vet.
Bëhet fjalë për protestat e organizuara në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët morën verdikt dënues nga Gjykata Speciale të mërkurën.
Ata kanë sugjeruar personelin e Ambasadës në Prishtinë që t’i shmangin këto demonstrata, pasi sipas tyre “mund të fillojnë në mënyrë paqësore, por mund të përshkallëzohen shpejt dhe pa paralajmërim”.
“Protestat po vazhdojnë në Prishtinë, ku pjesëmarrësit mblidhen shpesh në sheshin “Skënderbeu” dhe në lokacione të tjera në qendër të qytetit. Protesta të tjera mund të mbahen në ditët në vijim, potencialisht edhe në qytete të tjera. Demonstratat dhe tubimet e mëdha mund të fillojnë në mënyrë paqësore, por mund të përshkallëzohen shpejt dhe pa paralajmërim, duke shkaktuar pengesa në trafik, ndërprerje të shërbimeve dhe, në disa raste, mbyllje të rrugëve. Personelit të Ambasadës në Prishtinë i është këshilluar të shmangë demonstratat dhe tubimet e mëdha”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Ndër të tjera, ata ia rikujtojnë stafit që t’i japin përparësi sigurisë së tyre personale.
“Në orët para fillimit të protestave dhe gjatë zhvillimit të tyre, pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh, devijime të trafikut dhe pengesa në qarkullim. Nëse ndodheni në një qytet ku po mbahet ndonjë protestë, ju lutemi të qëndroni vigjilentë dhe t’i jepni përparësi sigurisë suaj personale. Për informacionet më të fundit, ndiqni mediat lokale dhe faqen zyrtare të Ambasadës”, thuhet tutje në reagim.









