Frederica Mogherini, ish kryediplomatja e Bashkimit Evropian, është liruar pasi dje u ndal nga autoritetet belge për korrupsion dhe një sërë akuzash tjera, ndërsa hetimet për të po vazhdojnë, ka njoftuar Prokuroria Publike Evropiane (EPPO).

Ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, u ndalua të martën, më 2 dhjetor, pasi policia kreu bastisje në kuadër të një hetimi për një skemë të dyshuar mashtrimi që lidhet me trajnimin e diplomatëve evropianë. Mogherini, e cila ishte Përfaqësuese e Lartë për Punët e Jashtme nga viti 2014 deri në 2019, aktualisht drejton Kolegjin e Evropës, një shkollë pasuniversitare, ambientet e së cilës u kontrolluan sikurse ato të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm.

52-vjeçarja italiane u arrestua në Bruksel së bashku me zëvendësshefin e shkollës së trajnimit dhe Stefano Sannino, një zyrtar i lartë i BE-së që ishte sekretar i përgjithshëm i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm nga viti 2021 deri në 2024, sipas një burimi të afërt me çështjen, siç raporton gazeta Le Monde.

Prokuroria Publike Evropiane (EPPO) njoftoi se bastisjet u kryen në Kolegjin e Evropës në qytetin belg të Bruges dhe në ambientet e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm në Bruksel, që është krahu diplomatik i BE-së. “Tre të dyshuar u ndaluan” në lidhje me bastisjet, si “pjesë e një hetimi mbi një mashtrim të dyshuar që lidhet me trajnime të financuara nga BE-ja për diplomatët e rinj”, thuhej në deklaratën e EPPO-s.

Të kryera nga policia federale belge me kërkesë të EPPO-s, bastisjet përfshinë edhe shtëpitë e të dyshuarve, thanë prokurorët. Në qendër të çështjes, sipas EPPO-s, është një program 9-mujor trajnimi për diplomatët e rinj të vendeve anëtare të BE-së, i njohur si Akademia Diplomatike e Bashkimit Evropian.

Programi iu dha Kolegjit të Evropës nga EEAS-i në periudhën 2021–2022, dhe hetimi fokusohet në dyshimet se procesi i tenderimit është manipuluar për t’i favorizuar ata. Mogherini është drejtore si e Kolegjit të Evropës, ashtu edhe e Akademisë Diplomatike të BE-së.

“Ekzistojnë dyshime të forta se (…) informacion konfidencial lidhur me një proces prokurimi në zhvillim është ndarë me një nga kandidatët pjesëmarrës në tender,” thuhej në deklaratën e EPPO-s.

Komisioni Evropian konfirmoi se bastisjet janë zhvilluar. “Mund ta konfirmojmë që policia ishte sot në ndërtesat e EEAS-it, dhe kjo është pjesë e hetimit në vazhdim për aktivitetet që kanë ndodhur gjatë mandatit të kaluar,” tha zëdhënësja e Komisionit, Anitta Hipper.

Shefja aktuale e diplomacisë së BE-së, Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas, e mori postin një vit më parë nga pasardhësi i Mogherinit, Josep Borrell.

EPPO tha se kishte kërkuar dhe marrë heqjen e imunitetit për disa të dyshuar përpara bastisjeve. Nëse konfirmohen, akuzat “mund të përbëjnë mashtrim në prokurim, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional”, tha zyra e prokurorisë.

“Hetimi është në vazhdim për të sqaruar faktet dhe për të vlerësuar nëse janë kryer vepra penale,” shtoi.

EPPO është prokuroria e pavarur e BE-së, përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër interesave financiare të bllokut. Hetimi mbështetet edhe nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), të cilës i janë raportuar fillimisht akuzat.

Federica Mogherini ka qenë ndërmjetësuese e dialogut Kosovë–Serbigjatë mandatit të saj si Përfaqësuese e Lartë të BE-së, duke udhëhequr shumicën e rundëve të bisedimeve në Bruksel. Ajo ishte aktive në rajon, me vizita të shpeshta në Prishtinë dhe Beograd.