Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara, u përball me pyetje të drejtpërdrejta lidhur me njohuritë e tij mbi veprimtarinë e UÇK-së gjatë luftës.
I pyetur nëse ai dinte mjaftueshëm për të vlerësuar qëndrueshmërinë e akuzave ndaj Hashim Thaçit, Clark pranoi se si komandant strategjik nuk kishte patur mundësi të kryente hulumtimet e detajuara që ka bërë Prokuroria.
Megjithatë, ai theksoi se nga përvoja e tij gjatë konfliktit nuk kishte parë që Hashim Thaçi të ushtronte kontroll të plotë operacional mbi UÇK-në.
Sipas Clark, forcat në terren funksiononin më shumë si grupe të vogla dhe të decentralizuara, të organizuara për të mbrojtur popullsinë shqiptare nga spastrimi etnik serb, sesa si një strukturë e unifikuar ushtarake.
Ai shtoi se Thaçi ishte “më i artikuluari dhe prezantuesi më i mirë i grupit”, një figurë ambicioze që u ngjit në pozita, por jo një komandant që gëzonte bindje të plotë nga të gjitha fraksionet.
“Nuk kishte mënyrë që unë të shihja kontroll të centralizuar”, theksoi Clark, duke argumentuar se realiteti në terren ishte shumë më kaotik nga sa sugjeronin dokumentet formale.
Kur u shty të jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë mbi akuzat konkrete me të cilat përballet Thaçi, Clark u përgjigj shkurt: “Akuzat nuk qëndrojnë”.








