Kryetari i Përparim Rama në një status në facebook ka shkruar ashpër kundrejt kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për mungesë të kontributit në luftën çlirimtare dhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës.

Rama ka deklaruar se Kurti “ka deficit të madh politik dhe personal”, ndërsa ka shtuar se, sipas tij, kryeministri përpiqet ta mbulojë këtë mungesë përmes propagandës dhe sulmeve ndaj figurave të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Albin Kurti ka deficit të madh politik dhe personal, sepse nuk ka asnjë kontribut as në luftën çlirimtare dhe as në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Prandaj, në vazhdimësi përpiqet ta mbulojë këtë mungesë me propagandë, duke sulmuar figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si “hajna” e “kriminelë” dhe, me ligësinë më të madhe, duke tentuar që familjet më të mëdha atdhetare t’i bëjë pjesë të diskursit të fushatës”, shkroi Përparim Rama.

Ai ka akuzuar qeverinë për mungesë të projekteve madhore dhe stagnim ekonomik gjatë gjashtë viteve të fundit në pushtet.

“Për gjashtë vjet në pushtet, e ka zhytur vendin në varfëri dhe stagnim. Pa asnjë projekt madhor, pa zhvillim kapital dhe pa asnjë rezultat konkret”, ka shkruar Rama.

Më tej, ai ka kritikuar retorikën politike të Kurtit, duke thënë se qytetarët kanë nevojë për zhvillim dhe mirëqenie, e jo, siç është shprehur ai, “filma propagandistikë të kohës së komunizmit”.

Në fund të reagimit, Rama ka theksuar se raportet ekonomike tregojnë varfërimin e qytetarëve gjatë mandatit të qeverisë aktuale.