Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha ka tentuar që ta sulmojë opozitën, duke iu thënë që ata kanë qenë kundër Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me Veriun. Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ia ka kujtuar atij punimin ku e kishte kriminalizuar UÇK-në.
“Pikërisht këtë betejë të Kryeministrit për çlirimin e Veriut, ju e keni sulmuar vazhdimisht fatkeqësisht. Kur BE-ja na vendosi masa ndëshkuese ju në vend se me mbështet Kryeministrin ju bashkuat sulmeve të Qeverisë”, ka thënë Basha në fjalën e tij në Kuvend.
“Edhe sot në këtë Kuvend dëgjova duke na akuzuar pse kemi qenë nën sanksione. Nuk tregojnë se sanksionet kanë qenë për shkak se Kryeministri insistonte në ligjshmërinë në atë pjesë të vendit që sot, pra ka sjellë Veriun nën kontroll dhe siguri të plotë. Pra, kjo tregon që të kishin qenë në pushtet dyshoj se kish ndërru gjendja atje”.
Tahiri, këtë deklaratë të Bashës, e konsideroi shumë “të ulët”.
“Tha që është pengu Albin Kurti kur ai ka luftu, e ka kundërshtu Vuçiçin. Është një deklaratë shumë e ulët e tij. Çka i bjen kjo? Kjo i bjen që dikush ka qenë me Vuçiçin kundër shtetit të Kosovës”, tha ai.
“Kush e tha këtë? Këtë e tha Ministri i Republikës së Kosovës. Përveç që është ministër, është edhe dikush që ka ba punim shkencor edhe e ka kategorizu UÇK-në si organizatë terroriste e kriminale. Domethanë për këtë arsye konsideroj që nuk duhet me leju, me u njollos edhe institucionet e Kosovës edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës”.









