“Jeta Xharra dhe Kallxo.com po më shantazhojnë me një incizim”, ka thënë Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, pas intervistimit nga Prokuroria Speciale mëngjesin e së mërkurës në lidhje me shpronësimet në Shipitullë.
Në një prononcim për media, Thaçi ka theksuar se në Prokurori është thirrur pasi që gazetarja Xharra, po e kërcënon me një incizim, duke i thënë se “nëse e publikojmë të humbë karriera”.
“Për tri vjet radhazi, janë mundu me më kërcënu e me më shantazhu, gjoja se për një incizim që kam bisedu me qytetarët e fshatit Shipitullë. Unë i tregova mediave, ju thash që Halil Thaçi, Kryetari i Komunës së Obiliqit, as nuk kërcënohet, as nuk shantazhohet. Ato media që mendojnë që mendojnë një incizim të një deputeti, apo një Kryetari të Komunës me e kthy në biznes, unë po ju tregoj që me Halil Thaçin nuk shitet kjo”, deklaroi Thaçi.
I pyetur direkt se kush e ka shantazhuar, ai tha “Kallxo.com, Jeta Xharra”.
“Situata ka qenë që unë kam bisedu me banorët për një problem që e kanë në fshatin Shipitullë për shpronësim. Unë kam bisedu me banorët dhe ai incizim më është servuar për tre muaj ditë nga Kallxo.com si lloj shantazhi, apo lloj kërcënimi që nëse e publikojmë të humb ty karriera”.
“Unë i kam thanë lirisht, çdo incizim publikoni, nuk është problem, unë jam i gatshëm, sot jam Kryetar i Komunës së Obiliqit, jam i gatshëm me u ballafaqu me problemet që i kanë qytetarët e Komunës së Obiliqit”.








