Në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) ka nisur një peticion për shkarkimin e ushtruesit të Drejtorit të kanaleve RTK1, RTK3 dhe RTK4, Rilind Gërvalla, i cili ka qenë aktivist i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe donator i saj.

Sipas një email-i që ka siguruar VOX Kosova, peticioni i është dërguar punonjësve të RTK-së, përfshirë edhe ushtrueses së detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu.

Kjo ka ardhur pasi që gjatë ditës së premte, Rilind Gërvalla, sulmoi sindikatat për gjoja politizimin e tyre, duke aluduar në Sindikatën e RTK-së.

“Rilind Gërvalla flet për politizimin e sindikatave, ndërkohë që vetë erdhi në krye të RTK-së pas një angazhimi publik politik me Lëvizjen Vetëvendosje – një fakt i njohur publikisht dhe i diskutuar gjerësisht edhe në kohën e emërimit të tij”, thuhet në email.

Prandaj, theksohet aty se “është e çuditshme që pikërisht ai u jep leksione të tjerëve për pavarësi”.

“Në vend që të sulmojë sindikatat, le t’u përgjigjet pyetjeve që i bëjnë punëtorët: sipas cilave kritere janë bërë emërimet në pozita drejtuese? Çfarë përvoje profesionale kanë pasur të emëruarit? A ka mbizotëruar meritokracia apo afërsia me menaxhmentin?”.

Aty ngritet edhe një shqetësim për sa i përket punësimit të një personi në krye të mediave online.

“Punëtorët kanë të drejtë të pyesin edhe për emërimin e Dardan Ramabajës në krye të mediave online. Nëse drejtori beson se ky ka qenë emërim profesional, atëherë le t’ia prezantojë publikut kriteret, përvojën dhe arsyetimin mbi të cilin është marrë ai vendim. Transparenca është përgjigjja më e mirë, jo statuset kundër sindikatave”.

Aty përmendet edhe fakti që shumë punëtorë flasin “për trajtim të pabarabartë, për aneks-kontrata dhe favore për njerëz të afërt me menaxhmentin”. “Nëse këto pretendime janë të pavërteta, drejtori dhe Bordi le t’i demantojnë me dokumente. Nëse janë të vërteta, atëherë përgjegjësia është e tyre”.

“Dhe këtu vjen përgjegjësia e Bordit. A është normale që drejtori i televizionit publik të merret me diskreditimin e sindikatave në vend se me problemet e RTK-së? A është ky standardi që Bordi mbron?”.

Për këtë arsye, theksohet se do të nis një peticion nga punëtorët për të kërkuar përgjegjësi. “Jo sepse dikush ka frikë nga kritika, por sepse RTK nuk mund të jetë pronë e një grupi, e një partie apo e një rrethi shoqëror. RTK u takon qytetarëve dhe punëtorëve të saj”.

“Kur një drejtor sulmon sindikatat në vend që të dialogojë me to, ai nuk po mbron institucionin. Ai po dëshmon se ka humbur besimin e atyre që e mbajnë çdo ditë RTK-në në këmbë”.