Faton Peci, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Mitrovicës, që dy ditë ka nisur një fushatë linçuese e denigruese ndaj mediave, duke i quajtur gazetarët “kriminelë” e “dhunues”, ndërsa edhe akuzon për “skemë kriminale” kundër tij. Madje, konsideron se disa prej gazetarëve duhet edhe të shkojnë në burg për shkak se, siç thotë ai, kanë tentuar ta deformojnë vullnetit e qytetarëve.
Krejt ky mllef që Peci është duke e shpërfaqur ka të bëjë me exit-pollet e 12 tetorit, të cilat njëzëri e paraqitën atë si humbës të zgjedhjeve në Mitrovicë ndaj Arian Tahirit të PDK-së, por që rezultati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregoi diçka tjetër, një garë të ngushtë mes dy kandidatëve, të cilët tashmë do të përballen në balotazh më 9 nëntor.
Fillimisht të martën, në orët e mbrëmjes, ai bëri një reagim të gjatë në Facebook, me titull “Si funksionoi skema kriminale e PDK-së në bashkëpunim me disa ‘medie’, që kulmoi me exit pollet dhe TV Dukagjinin si qendra operative e ndërmarrjes kriminale?”, duke u tentuar gjoja që të shpjegojë “propagandën” kundër tij.
Peci akuzoi Kryetarin aktual të Mitrovicës, Bedri Hamza, si organizator të fushatës kundër tij.
“Pas me shume se një viti dhe mandej një muaji fushate të organizuar, të ngjeshur, të orkestruar e të sofistikuar linçimi, njollosjeje, fyerjeje e sulmi kundër meje si figurë publike e politike, por si individ e si person dhe ku ishte përdorur edhe portretizimi im si ushqyes i ndasive e urrejtjes ndërfetare – një gjë që secili nën këtë qiell e din se nuk mund të më mvishet – më 12 tetor ishte finalja e krejt këtij organizimi kriminal, që tash po e kuptoj edhe nga informatat nga tereni se udhëhiqej nga Bedri Hamza”, shkroi ai.
“Politikani qe fshihet pas gëzofit te politikanit te urte, po qe na del te jete politikani me përçarës ne trojet shqiptare, i cili është i gatshëm te fute edhe përçarje ndërshqiptare e ndërfetare për një grusht vota”, shtoi.
Gjatë 12 tetorit 2025, televizioni Dukagjini, sipas Pecit, “ishte njëra nga qendrat operative të këtij aranzhimi propagandistik”. “Duke mos harruar partnerin si-moter Baton Haxhiun”.
Në prizimin e tij, exit pollet që Dukagjini kishte kontraktuar e sponsorizuar, “nuk u përdorën për të matur vullnetin qytetar, por për ta ndërtuar një narrativë të rreme për rezultatin, për ta dekurajuar votuesin tim dhe para se të kuptohej e vërteta e këtij krimi, për t’i dekurajuar komisionerët e vëzhguesit e zgjedhjeve në Mitrovicë”.
“Dëshmitarët e dorën së parë po na tregojnë se kur u deklaronin atyre që bënin exit poll-et, se kishin votuar për Faton Pecin, anketuesit u përgjigjeshin se ‘ka problem me sistemin’ dhe vota e tyre shpërfillej me porosinë e kriminelëve që ishin paguar ta krijojnë gënjeshtrën e madhe”.
Ai pretendoi edhe se pronari i kompanisë UBO e ka thirrë stafin e tij deh është përpjekur që ta bind se “cdo gjë ka marrë fund”.
“Paramendo: në mesditë – dhe se ne kishim pësuar disfatë, duke shfaqur kështu botërisht dhe pa turp innxhinieringun e tyre për krimin e exit poll-eve në Mitrovicë”.
Më pas, ai vazhdoi sulmet kundër gazetarëve, të cilët i etiketoi me terma ofendues.
“Gjatë tërë ditës së zgjedhjeve, analistë të dreqit e të paguar kanë publikuar postime duke u bazuar te rezultatet e exit polleve qe përbejnë shkelje flagrante e duke paraqitur garën e përfunduar me rezultat të thellë duke thyer rregullat zgjedhore dhe kanë ndikuar tepër negativisht në frymën e votimit dhe kanë vënë shtyllat e narracionit kriminal të exit poll-eve që ishin parapërgatitur”.
Ky proces, Peci pretendon se nuk ishte thjesht raportim mediatik, “por një skemë e përgatitur për të ndikuar opinionin publik dhe për të krijuar përshtypjen e një fitoreje të paracaktuar, shumë përpara numërimit real të votave”.
“Po ashtu, gjatë tërë ditës në mënyrë të vazhdueshme e të organizuar, qytetarët e Mitrovicës, e mes tyre edhe pjesëtarët e ekipit tim zgjedhor janë kontaktuar me thirrje anonime, me fshehje të numrit dhe janë dekuraju, dezinformu, janë gënjyer e janë çorientuar, me t’vetmin qëllim: që të krijojnë terren të pëlleshëm për exit poll-et kriminale të Mitrovicës me mundesine qe edhe ndonjeri komisioner nga dëshpërimi te largohet nga qendra e votimit. Thirrje pa numër kishin edhe komisionerët e vëzhguesit dhe stafi i Vetëvendosjes në zyrën e partisë”.
Për ta vazhduar avazin, Peci doli edhe të mërkurën në një intervistë në Kanal 10, ku sulmoi televizionin Dukagjini dhe gazetarët, posacërisht gazetarin Lirim Mehmetaj.
“Ky televizion (Dukagjini) ka fillu me nda skemën programore duke ia dhanë një personi që unë mendoj që është dhunues në Kosovë përmes hapësirës mediale në të cilën atij i dhurohet, e në të cilët ai ka proklamu për herë të parë se kinse ministri i Bujqësisë ka marrë ryshfet nga Kompania
Duke iu rikthyer sërish exit-polleve, ai akuzoi gazetarët se kanë shpërndarë të dhëna të cilat i kanë marrë nga exit polle, për ta dëmtuar atë në garë. Peci i quajti gazetarët “kriminelë”.
“Ata të cilët në ora 9:00, kanë marrë sipas tyre informacionet e exit-pollit edhe i kanë pasqyru gjatë gjithë ditës, edhe e kanë denigru mbiemrin Peci, edhe kanë thanë që po pëson fiasko e po humb 30 me 70 në zona të caktuara të Mitrovicës e që atë e kanë nda me aktivistët e Vetëvendosjes, e kanë thirrë me numra no name, duke e fsheh numrin e duke i thirrë krejt aktivistët e veprimtarë e duke e ba publik se gara përfundoi, e duke i nxjerëë këto informacione të paqena e të inskinune përmes të ashtuquajturve gazetarë, që unë mendoj që disa prej tyre janë kriminelë”.
Madje, shkoj aq larg, saqë deklaroi se gazetarët do të duhet të shkonin në burg për shkak të, sic thotë ai, “devijimit të vullnetit” të qytetarëve.
“Nuk janë gazetarë disa prej tyre, janë kriminelë, të cilët dalin ditën e zgjedhjeve dhe e thyejnë heshtjen zgjedhore me pasë rend edhe funksionim të organeve të drejtësisë, ata marrin minimalisht 3 deri në 5 vite burgim, për shkak se është devijim i vullneti, është imponim i vullnetit, është dekurajim i përkrahësve edhe kanë konsumu vepra penale për cka ne jemi në fazën finale të deponimit të kallëzimeve penale ndaj gjithë atyneve skemës kriminale, nga Ermal Panduri, Lirim Mehmetaj, Berat Buzhala, Baton Haxhiu, Adriatik Kelmendi, e shumë të tjerë”, potencoi ai ndër të tjera.









