Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, i është kundërpërgjigjur “talljeve” të Albin Kurtit, i cili i është referuar atij si kryetar i Gjakovës, duke mos ia respektuar ndryshimin e emrit të partisë.

Gjini tha se mburret me të gjitha këto, ndryshe nga Albin Kurti, për të cilin tha se ka qenë zëvendës i Nenad Rikalos në KAN.

“Unë mburrem që jam në Aleancë. Unë mburrem që jam pjesë e asaj Aleance për Ardhmërinë e Kosovës që e ka shkurtuar emrin e vet. Edhe nëse më detyron të flas më tepër, po, i them: Mburrem që jam kryetar i Gjakovës, mburrem që i kam mbajtur të gjitha pozitat e zgjedhura të pushtetit në Kosovë, mburrem që e kam gjithë këtë përvojë politike, ndihem mirë në lëkurën time. Mburrem që kam qenë nënkryetar i Ramush Haradinajt. Por, duhet t’i them diçka, pasi që po kërkoni, unë nuk kam qenë kurrë zëvendës i Nenad Rikalos në KAN”, tha Gjini.

Këto deklarime i bëri në një konferencë për media, ku edhe njëherë refuzoi bashkëpunimin me LVV-në, nëse nuk merren parasysh pikat të cilat i ka paraqitur para disa javësh AAK-ja, që ndër të tjera është edhe pranimi i Gazit Amerikan.

Përndryshe, në disa media raportohet se Rikalo kishte deklaruar se në vitin 2003 ka marrë pjesë në themelimin e KAN-it bashkë me Albin Kurtin. KAN ishte një organizatë e shoqërisë civile e krijuar pas luftës, që merrej me çështje të aktivizmit qytetar, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.