Kosova ka humbur mundësi të rëndësishme investimi në sektorin e energjisë për shkak të mungesës së bashkërendimit me politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Zeka tha se një nga rastet më të rëndësishme ishte humbja e mundësisë për ndërtimin e një termocentrali nga një investitor amerikan.

“Kosova për vite me radhë realisht ka refuzuar, në disa aspekte kyçe të politikës së jashtme amerikane, që të bashkërendohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2021 ne realisht e humbëm mundësinë e ndërtimit të një termocentrali, investitori i të cilit ishte një kompani me kapital amerikan”, deklaroi Zeka.

Sipas tij, kjo ka ndodhur edhe si rezultat i deklaratave të bëra nga udhëheqësit shtetërorë gjatë dhe pas fushatës zgjedhore të vitit 2020.

“Kjo ndodhi edhe për shkak të deklaratave që dy prej liderëve më të fuqishëm politikë, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, i kishin bërë gjatë fushatës së vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021”, tha ai.

Zeka kritikoi edhe qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj Marrëveshjes së Washingtonit, duke thënë se ekzekutivi kishte refuzuar zbatimin e disa dispozitave të saj.

“Kjo qeveri realisht refuzonte që të zbatonte dispozitat e Marrëveshjes së Washingtonit, në të cilën parashihej edhe përfitimi i fondeve të institucioneve financiare amerikane për ndërtimin e infrastrukturës së furnizimit me gaz të lëngshëm natyror”, u shpreh ai.

Ai tha se deklaratat e zyrtarëve qeveritarë në atë periudhë kishin shkaktuar shqetësim te partnerët amerikanë.

“Zyrtarët e qeverisë thoshin se do të zgjedhin cilat dispozita të Marrëveshjes së Washingtonit do t’i zbatojnë. Ata jo vetëm që e refuzonin marrëveshjen në tërësi, por po provokonin duke thënë se do të vendosin vetë cilat pika do t’i zbatojnë”, deklaroi Zeka.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane tha gjithashtu se ekziston një kërkesë e qartë nga Shtetet e Bashkuara për investime në infrastrukturën e gazit të lëngshëm natyror (LNG), duke kundërshtuar pretendimet se kjo nuk ka qenë një kërkesë zyrtare e Washingtonit.