Ministrja e Shqipërisë për Politikën e Jashtme, Elisa Spiropali, ka thënë se gjatë këtij viti pritet një takim mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

“Biseduam edhe për takimin e përbashkët mes dy qeverive. Ka ardhë koha për një takim mes dy qeverive brenda 2026, në Tiranë apo në Prishtinë”, ka thënë Spiropali, gjatë konferencës me Glauk Konjufcën, Ministrin e Kosovës për Punë të Jashtme dhe Diasporë..

Një takim i mundshëm mes dy qeverive këtë vit do të ishte i pari pas 4 viteve pa një të tillë mes ezkekutivit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.

Mbledhja  e fundit ndër-qeveritare, e dyta për binomin Kurti-Rama, ishte mbajtur në Prishtinë në qershor të vitit 2022.

Në vitin 2023, kryeministri i Shqipërisë pati anuluar pjesëmarrjen në mbledhjen ndërqeveritare për shkak të tensioneve në veri të Kosovës, që sipas tij agravonte marrëdhëniet e Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike.

Që atëherë, dy qeveritë që drejtojnë vende me shumicë shqiptare nuk janë takuar më.