Zyra e Prokurorit të Shtetit ka njoftuar se në të gjitha komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave do të fillohet grumbullimi i informatave për keqpërdorimet në procesin zgjedhor.

Ky njoftim i Prokurorisë vjen pasi që në rinumërimin e pjesshëm të votave u shpërfaqën manipulime me votat e kandidatëve për deputetë brenda partive. Kjo dukuri më shumti u vërejt në Prizren.

“Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria njofton se Pula po ashtu ka kërkuar që edhe në komunat ku ende nuk ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave që menjëherë pas përfundimit të këtij procesi të fillohet nga prokuroritë përkatëse procesi i grumbullimit të provave të nevojshme.

“Prokurori i Shtetit do të mbetet i angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetoj çdo rast, për të cilin kanë dyshime është keqpërdorë – falsifikuar vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet aty.