Gjykata Kushtetuese ka publikuar të plotë aktgjykimin me përmbajtje e cila kryesisht ishte kumtuar ditë më parë.
Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, ndërsa ka vlerësuar se zgjedhja e Qeverisë më 13 shtator 2026 nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
Aktgjykimi është marrë në rastet të parashtruara nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët kishin kontestuar procedurat për konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e Kryetares dhe nënkryetarëve të Kuvendit, si dhe zgjedhjen e Qeverisë.
Megjithatë, sipas Gjykatës, tejkalimi i këtij afati ka një pasojë të rëndësishme kushtetuese: me kalimin e afatit për konstituimin e Kuvendit kanë filluar të rrjedhin edhe afatet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, kur posti është vakant, si dhe për zgjedhjen e Qeverisë.
Në këtë kuadër, Gjykata ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Një tjetër pikë e aktgjykimit lidhet me përbërjen e Kryesisë së Kuvendit. Gjykata ka konstatuar se deputetët duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me nenin 67 të Kushtetutës, gjë e cila edhe ndodhi në seancën e ditës së hënë në Kuvendin e Kosovës.
Më 11 shtator, Çitaku kishte marrë 44 vota për, një kundër dhe 56 abstenime.
Më pas, PDK-ja e kishte tërhequr përkohësisht kandidaturën, duke njoftuar se do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese.
Pas verdiktit, në seancën e së hënës, Çitaku arriti të marr votat për nënkryetare, edhe votat e deputetëve të Lëvizjës Vetëvendosje.
Me këtë aktgjykim, Gjykata ka përcaktuar se Kuvendi është konstituuar me vonesë, Qeveria e zgjedhur më 13 shtator mbetet në përputhje me Kushtetutën, ndërsa procesi për zgjedhjen e Presidentit duhet të përfundojë brenda afatit që skadon më 6 tetor 2026.
Dokumenti i plotë:









