Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët dyshohen se janë bashkuar për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Sipas aktakuzës, të pandehurit D.M., D.D., M.R., N.J., N.O. dhe S.V., gjatë periudhës nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, në komunat veriore të Kosovës, kanë vepruar në bashkëkryerje për të penguar institucionet shtetërore në ushtrimin e autoritetit dhe vendosjen e rendit kushtetues.

Prokuroria pretendon se ata kanë bllokuar rrugët kryesore duke vendosur barrikada me kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera të rënda, duke kufizuar lirinë e lëvizjes dhe funksionimin e institucioneve.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ekzistojnë dyshime se, në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e rendit, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm të sulmonin zyrtarët policorë me mjetet që kishin në dispozicion.

Ndërkohë, hetimet ndaj 11 personave të tjerë – M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R. dhe M.R. – janë pezulluar përkohësisht, pasi ata vazhdojnë të jenë të paarritshëm për organet e ndjekjes.