Në gusht të vitit 2023, Albin Kurti i kishte dalë në mbrojtje ministres së tij, Rozeta Hajdarit, kur ishte raportuar për dallavere të mëdha për to. Në një paraqitje me video, Kurti ishte përpjekur të jepte shifra se gjithçka është në rregull.
Por, dy vjet e gjysmë më pas, Prokuroria ka bërë të ditur se përveç Rozeta Hajdarit, aktakuzë është ngritur edhe ndaj ish-zëvendëssekretarit të MINT-it, Irfan Lipovica, si dhe drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara.
Këta të tre akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”.
Aktakuzë është ngritur edhe ndaj afaristit Ridvan Muharremi. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbrrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99.5% të sasisë së grurit, që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë. E për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën. Dhe nëse nuk e bëjnë këtë, janë procedurat ligjore. Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, thoshte asokohe Kurti.
Kryetari i Vetëvendosjes, që është tani deputet dhe kryeministër në detyrë, kishte refuzuar disa herë shkuarjen në prokurori për të dhënë dëshmi për këtë rast. Ai kishte qenë autoriteti që kishte dhënë lejen që procedurat të zhvilloheshin “në formë sekrete”.
Megjithatë, ai do ta ketë një ftesë tjetër. Duke u bazuar në refuzimet e mëhershme, prokurorët specialë Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi i kanë propozuar gjykatës që kryeministri Kurti të dëgjohet si dëshmitar në shqyrtim gjyqësor.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se përveç Rozeta Hajdarit, aktakuzë është ngritur edhe ndaj ish-zëvendëssekretarit të MINT-it, Irfan Lipovica, si dhe drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara.
Këta të tre akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”.
Aktakuzë është ngritur edhe ndaj afaristit Ridvan Muharremi. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G., akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, Në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, Prokuroria thekson se i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2 milionë e 912 e 134 euro e 78 cent.
“Të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M”.
I pandehuri Muharremi akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, “duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”.
Në kohën e pandemisë, MINT kishte porositur me kontrata njëburimore disa mallra për rezervën shtetërore, si miell, sheqer dhe vaj. Mirëpo, një sasi e madhe e tyre nuk kishte ardhur.
Për të gjitha këto veprime, ministrja Rozeta Hajdari, zëvendëssekretari Irfan Lipovica dhe drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore, Hafiz Gara, po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2, lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, pasi sipas aktakuzës, pjesë të procesit të negocimit ngarkohen ta kenë bërë dhe afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”.
Gara ngarkohet se ia komunikoi sekretin shtetëror Muharremit, duke ia dërguar në e-mail programin programin për furnizim me mallra të rezervës shtetërore të vitit 2022, në të cilin ishin përshkruar detajet e llojit të produktit, sasia dhe vlera monetare si pjesë e Planit Strategjik Vjetor të mallrave të rezervës shtetërore, duke rrezikuar interesin publik dhe furnizimin strategjik të vendit me rezerva shtetërore.
Me këtë, Gara akuzohet se ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” nga neni 426, par.1 të Kodit Penal.
Kurse, bashkë me Hajdarin e Lipovicën, Gara ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke ia vënë në dispozicion Muharremit informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore. Muharremi fillimisht përmes WhatsApp në grupin ku bënin pjesë edhe tre të pandehurit tjerë i njoftoi se kishte siguruar një OE për deponim të grurit, duke ua dërguar të dhënat.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” nga neni 426, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Për Hajdarin, Lipovicën e Garën është propozuar edhe dënim plotësues – kompensimi i dëmi të buxhetit të shtetit
Në anën tjetër, afaristi Muharremi po akuzohet nga PSRK për kryerjen e veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.








